10/10/2024• Aktivitetet• Bianka Hada
Zonja e Parë e Republikës, Sh. S. Znj. Armanda Begaj, priti sot në një takim në Institucionin e Presidentit të Republikës, Zonjën e Parë të Turqisë, Sh. S. Znj. Emine Erdoğan, e cila shoqëron Presidentin e Republikës së Turqisë, Sh. T. Z. Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Zonja Begaj i shprehu Zonjës Erdogan mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë.
Në takim, Zonja Begaj përgëzoi Zonjën Erdogan për nismat e saj shoqërore me fokus fëmijët dhe mjedisin, si edhe për përfshirjen e Shqipërisë në agjendën e nismave të saj globale, veçanërisht për projektin “Zero Mbetje”.
Gjithashtu, Zonja Begaj u ndal te projekti i Zonjës Erdogan, “Të dërguarit vullnetarë”, i cili ka në fokus vullnetarizmin në shoqëri për të ndihmuar fëmijët në nevojë.
Zonja Begaj e njohu zonjën Erdogan me aktivitetet e saj me në qendër leximin e librit, nisma që synojnë largimin e fëmijëve nga elektronika, si edhe nisma për të ndihmuar fëmijët në nevojë.