Zonja e Parë Armanda Begaj mirëpret Zonjën e Parë të Austrisë, Doris Schmidauer
Përgjatë vizitës shtetërore të Presidentit Federal të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Alexander Van der Bellen, Zonja e Parë, Armanda Begaj mirëpriti me një agjendë të veçantë Zonjën e Parë të Austrisë, Doris Schmidauer.
Znj. Begaj e njohu fillimisht znj. Schmidauer me nismat e ndërmarra nga çifti Presidencial që kanë në fokus librin, edukimin, gruan dhe trashëgiminë kulturore. Më tej, vizituan së bashku Muzeun ‘’Shtëpia me gjethe’’, ku Zonja e Parë diskutoi me Znj. Schmidauer mbi periudhën e errët të totalitarizmit në Shqipëri.
Agjenda e dy Zonjave të Para kishte parashikuar dhe pjesëmarrjen në prezantim të projektit të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA): “Zgjerimi i Zgjedhjeve: Politikat Familjare të përgjegjshme gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”.
Duke vlerësuar rëndësinë e projekteve si “Zgjerimi i Zgjedhjeve” që fuqizojnë rolin e gruas në shoqëri, Zonja e Parë u shpreh ndër të tjera se “Gratë kanë një rol shumë thelbësor. Ne mbajmë përgjegjësinë për të sjellë një jetë të re në botën tonë, duke qenë gjithashtu një pjesëtarë produktivë të shoqërisë.
Por shumë shpesh gratë e kanë të vështirë t’i zhvillojnë këto dy dimensione paralelisht ashtu siç dëshirojnë, për shkak të mungesës së kushteve të duhura dhe mbështetjes së kufizuar.”
Për këtë arsye, sipas Znj. Begaj duhet t’i ndihmojmë grate të arrijnë potencialin e tyre dhe të realizojnë ambiciet e tyre profesionale, pa sakrifikuar prioritetet e tyre familjare, sepse “gratë nuk duhet të zgjedhin kurrë njërën mbi tjetrën.”