17/05/2024• Aktivitetet, Lajme• Bianka Hada
Zonja e Parë, Armanda Begaj, ishte pjesë e festës tradicionale të Abetares në shkollën “Qemal Cena” në Kashar dhe “Bashkim Berisha” në Ndroq.
Ajo i përgëzoi nxënësit e klasave të para për mbylljen e një etape të rëndësishme për shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe.
Bashkë me urimet për përfundimin e librit të parë shkollor dhe dhënien e certifikatave të Abetares, Zonja Begaj u dhuroi të vegjëlve libra edukativë dhe argëtues në vijim të nismës për nxitjen e leximit shqip.
Ajo shprehu falënderime të veçanta ndaj mësuesve për përkushtimin ndaj fëmijëve të klasave të para, sidomos në aftësimin e shprehive në gjuhën amtare.
Zonja Begaj u takua edhe me prindërit e gjyshërit që ishin pjesë e këtij “diplomimi” të parë shkollor të të vegjëlve.
Vizita në shkollën “Bashkim Berisha” në Ndroq ishte një premtim i mbajtur për Zonjën Begaj.
Ajo u takua herën e parë me këta fëmijë në nisje të vitit të ri shkollor dhe, sikurse u kishte premtuar më 11 shtator 2023, shkoi sot për të ndarë me ta gëzimin e festës së Abetares.