Sqarim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikë, z. Tedi Blushi

Sqarim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikë, z. Tedi Blushi

Asnjë alert për datën 2 mars, për qytetarët shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë dhe do të mbërrijnë në Tiranë!

Përkundrazi, jemi shumë të lumtur që këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar do t’i bashkohen edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët na kanë konfirmuar pjesëmarrjen më 2 mars dhe një pjesë e të cilëve sapo kanë mbërritur në Atdhe.

Dhe me të drejtë, sepse për liritë dhe vlerat amerikane, ata nuk mund t’i marrin leje as Rilindjes dhe as ndonjë segmenti të Sigurimit të Shtetit, kudo që ai të ndodhet!

Gjithashtu, mund t’ju konfirmoj se sot paradite Presidenti Meta me kërkesën e Tij ka pritur në takim drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, duke u konfirmuar bashkëpunimin maksimal të Institucionit dhe të Tij, për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar, në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë!

Çdo detaj është i mirëpërcaktuar me kohë.

Manifestimi fillon në ora 17.00, me flamuj kuqezi dhe mimoza në duar, e përfundon në ora 19.00.

Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar.

Shtetasve të huaj, veçanërisht atyre shqiptaro-amerikanë që do të marrin pjesë do t’u dhurohet një degë mimoze dhe një Kushtetute e Shqipërisë, e votuar me 140 vota dhe me bekimin e Komisionit të Venecias, SHBA-ve dhe BE-së.

Alerti i vetëm i 2 marsit, është për puçistët që tallen me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke miratuar apo bekuar pabesisht ligje anti-kushtetuese!

Të gjithë më 2 mars për Kushtetutën dhe kundër grushtit të shtetit.

Për Shqipërinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar!

Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane!

Pa Kushtetutë nuk ka demokraci!

Pa demokraci nuk ka Shqipëri!