Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Lajme

Presidenti Begaj niset drejt Sllovenisë për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj niset sot drejt Lubjanës për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të zhvillohet më 11-12 shtator 2022.

Takimi i Liderëve zhvillohet në një moment kyç për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe për të ardhmen evropiane të vendeve të këtij rajoni. Takimi do të fokusohet në përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në çështjet e bashkëpunimit rajonal, sigurisë energjetike dhe sigurisë ushqimore pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Në këtë takim, të organizuar nga bashkëdrejtuesit e këtij procesi, Presidentët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, marrin pjesë të gjithë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë takim të rëndësishëm rajonal, Presidenti Begaj do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e vendeve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Brdo-Brijunit.