Qëndrim i Presidentit Meta lidhur me zhvillimet më 8 janar 2022 në selinë e Partisë Demokratike

Qëndrim i Presidentit Meta lidhur me zhvillimet më 8 janar 2022 në selinë e Partisë Demokratike

Në vlerësimin tim si President i Republikës, 8 janari nuk është një ngjarje e izoluar, por është një moment tragjik i një procesi politik degradues, që po zhvillohet prej muajsh dhe vitesh në sytë e të gjithë shqiptarëve, thelbi i të cilit është mungesa e ballafaqimit demokratik me votë të lirë dhe në mënyrë transparente.

Të mos harrojmë se jemi ende në kushtet kur demokracia shqiptare dhe pothuajse të gjitha institucionet janë minuar prej vitesh nga kapja graduale e të gjitha segmenteve shtetërore, institucioneve të pavarura dhe të shoqërisë civile.

Dhe pikërisht kur të gjitha energjitë duhet të mobilizoheshin për të rivendosur sundimin e ligjit, sistemin e llogaridhënies në vend dhe vetë brenda partive, si dhe mbi të gjitha besimin tek demokracia dhe institucionet e saj, prej muajsh e vitesh po bëhemi dëshmitarë të kërcënimit të një institucioni tepër jetik për demokracinë dhe pluralizmin e vërtetë, atë të opozitës, por edhe atë të votës së lirë.

Nuk dua të bëhem palë dhe asnjëherë nuk kam synuar të bëhem palë në konfliktin, që ka lindur në Partinë Demokratike, por si President i Republikës jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit të panevojshëm brenda partisë më të madhe opozitare, që mund dhe duhet të ketë vetëm një zgjidhje: Votën e lirë dhe respektimin e vullnetit të shumicës, si edhe garantimin e fraksioneve.

Përdorimi i forcës, si ndaj dyerve dhe dritareve, dhe akoma më keq ndaj protestuesve dhe qytetarëve, është i papranueshem dhe i dënueshëm.

Akuzat për infiltrimin e qëllimshëm të personave me precedentë kriminalë dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore brenda godinës së Partisë Demokratike janë alarmante dhe kërkojnë përgjigje të paanshme.

Thënë kjo, dua të theksoj se është gjithashtu e papranueshme mohimi i çdo mekanzimi demokratik zgjidhjeje, duke nxitur tinëzisht ushtrimet e forces dhe revoltën.

Pra, kur të gjithë e kanë të qartë, që përdorimi i dhunës nuk do të jetë asnjëherë mekanizmi, që do të mund të legjitimojë marrjen e pushtetit, është dhe po aq e dënueshme përdorimi i dhunës për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit apo të godinave, duke shmangur ballafaqimin demokratik dhe transparent, bazuar në votën e lirë, në Kushtetutë dhe në statutin e vet partive.

Mjetet fizike dhe policeske nuk mund të jenë zgjidhje për asnjërën palë, por vetëm ballafaqimi demokratik, përmes votës së lirë. Për më tepër që Partia Demokratike është anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe duhet të jetë një shembull në këtë drejtim.

Sidoqoftë, zhvillimet e 8 janarit 2022 sollën edhe ndonjë shembull pozitiv, që bën thirrje për reflektim, siç është dorëheqja e rojes së selisë së PD-së, për të mos qenë dëshmitar i dhunës.

Uroj, që të gjithë të ngrihen në nivelin e përgjegjshmërisë së tij.