Presidenti i Republikës së Shqipërisë

352411071 644030641074107 2807963869936766440 n

Lajme

Pyetjet dhe përgjigjet e Presidentit Begaj gjatë konferencës për shtyp me Presidentin e Estonisë

Pyetja nr.  1: Zoti Begaj, situata në Kosovë dhe sjellja e Serbisë a e cënon integritetin rajonal dhe a e zhvlerëson një nismë si Ballkani i Hapur? 
Presidenti Bajram Begaj: Faleminderit për pyetjen. Askush nuk është i kënaqur me situata apo me sjellje të cilat nuk i shërbejnë stabilitetit të rajonit, aq më tepër kur rajoni, i gjithi, i Ballkanit Perëndimor është në proces të integrimit.
Ndërkohë që të gjithë neve prisnim që të zhvilloheshin negociatat midis Kosovës dhe Serbisë për të ecur përpara në atë drejtim të zbatimit të asaj çfarë u dakordësua publikisht në Bruksel dhe anekseve të Ohrit, kemi pasur një tensionim të situatës.
Një tensionim që ka ardhur si rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe që jeton në veri të Kosovës dhe ushtrimit të papranueshëm të dhunës nga grupe kriminale, të cilat ushtruan dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj gazetarëve dhe ndaj Trupave Paqeruajtës të KFOR-it.
Ndaj me ju shqetësimin që çdo sjellje, çdo qasje, çdo ngjarje e cila nuk përputhet me normat dhe me ligjet ndërkombëtare natyrisht që sjell pasoja.
Sjell pasoja në radhë të parë për vetë palët që janë të përfshira, sjell pasoja për rajonin ku ndodhen këto palë dhe më tej akoma sjell pasoja dhe për komunitetin ndërkombëtar, siç është rasti konkret, një sforcim i panevojshëm i energjive dhe të komunitetit ndërkombëtar dhe i partnerëve tanë strategjikë.
Kështu që mendoj që situata kërkon një zgjidhje, e cila besoj se do të merret në konsideratë nga drejtuesit dhe nga të dy aktorët kryesorë.
Përsa i përket nismave rajonale, çdo nismë rajonale është pozitive, mendoj se është e domosdoshme dhe e rëndësishme, jo sepse është e rëndësishme se e them unë, por kështu është thënë edhe nga partnerët tanë, që çdo nismë rajonale është e rëndësishme.
Përfitimet nga nisma të tilla ne i kemi parë, janë të prekshme.
Po ju përmend Procesin e Berlinit që sapo u dakordësua nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfitimi është real, është i prekshëm nga njerëzit.
Përsa i përket Ballkanit të Hapur, kjo iniciativë është një iniciativë e konceptuar si iniciativë vetëm ekonomike, e cila do të sillte edhe përfitim nëpërmjet shkëmbimit të mallrave, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe po kështu heqjen edhe pakësimin e disa burokracive.
I qëndroj mendimit tim që kam thënë edhe dikur, që në qoftë se një iniciativë e tillë është gjithëpërfshirëse dhe mbetet vetëm në kuadrin ekonomik dhe sjell përfitime ekonomike për njerëzit e rajonit, në rastin konkret për popullatat tona të Kosovës dhe të Shqipërisë, për mua është e mirë se ardhur.
Në fakt doja që te kjo që unë sapo përmenda është që çdo iniciativë rajonale është e lidhur me objektivin tonë strategjik.
Objektivi ynë strategjik është integrimi ynë në Bashkimin Evropian dhe nëse ne nuk komunikojmë me njëri-tjetrin, nëse nuk bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, si mund të kërkojmë të bashkëpunojmë me gjithë komunitetin e Bashkimit Evropian?
Kjo është përgjigjja ime.
Pyetja nr. 2: Zoti Begaj, pyetja qe dua t’ju drejtoj ka të bëjë me tensionet në veri të Kosovës, a keni pasur ju komunikime me homologen tuaj, Presidenten Vjosa Osmani, sa i takon kësaj situate dhe konsultimeve të mundshme dhe cili është qëndrimi juaj sa i takon një zgjidhjeje të mundshme të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë dhe qetësimit të kësaj situate në veri?
Presidenti Begaj: Në fakt komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm.
Edhe në rastin konkret të situatës së tanishme kam pasur komunikim me autoritetet më të larta të Kosovës, po ashtu me komandantin e KFOR-it dhe me disa president të rajonit.
Në telefonatat e mia me autoritetet e larta të Kosovës kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vendosur theksin në domosdoshmërinë e zbatimit së marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel dhe të anekseve të dakordësuara në Ohër.
Duhet të fokusohemi tek prioritetet dhe jo tek ato që janë gjëra sekondare.
E përsëris që për mua sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm nëse ndërtimi i institucioneve demokratike atje është gjithashtu i domosdoshëm.
Për të ardhur te qëndrimi për zhbllokimin e situatës, unë kam bërë një thirrje vëllazërore për autoritetet e Kosovës që në këtë situatë duhet të kenë durim, duhet të kenë maturi dhe duhet të dëgjojnë dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjik.
Dhuna nuk është zgjidhja, konflikti i dhunshëm nuk duhet të jetë asnjëherë opsion, i vetmi opsion për zgjidhje është dialogu.
Faleminderit!