14 Shkurt 2021 Presidenti Meta në Sarandë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”: Të nxisim solidaritetin me këtë kauzë humane, për të shpëtuar sa më shumë jetë
Sarandë
Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e radhës së dhurimit vullnetar të gjakut, që u mbajt pranë Qendrës së Kujdesit për Moshën e Tretë në Sarandë.
Në një prononcim për mediat, Kreu i Shtetit u shpreh se:
“Është një kënaqësi e veçantë për t’u rikthyer në Sarandë, në shërbim të një kauze shumë humane, siç është dhurimi i gjakut, që bëhet edhe më fisnike në kushtet e pandemisë.
Ky akt është një shprehje mirënjohjeje edhe për mikpritjen shqiptare dhe sarandjote, që ata kanë gjetur.
Kënaqësi të takoja shumë qytetarë nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar.
Kjo është shumë pozitive, sepse tashmë ekziston një komunitet i tillë në Sarandë dhe kjo është e natyrshme, për faktin se Saranda tashmë është një markë e njohur për të gjithë turistët e huaj.
Për shkak se Covid-19 solli vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor, falënderoj të gjithë qytetarët, të rinjtë e të reja, që me vullnetarizëm i janë përgjigjur thirrjes sonë për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë”, – u shpreh Presidenti Meta.