01/08/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Sh. S. Znj. Vjosa Osmani, ndërsa ka ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Kosovës.
Gjatë bisedës me homologen e Kosovës, Presidenti Begaj përshëndeti vendimin e matur, që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.
Kreu i Shtetit nënvizoi se, vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë, pas agresionit rus në Ukrainë.
Presidenti i Republikës nënvizoi se, Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm.
Presidenti i Republikës tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtarë, për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv, do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë,” – nënvizoi Presidenti Begaj gjatë bisedës telefonike me Presidenten Osmani.