Presidenti i Republikës së Shqipërisë

323412297 912138326480434 1570465791550848976 n

Lajme

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj viziton shtëpinë muze “Kongresi i Lushnjës” me rastin e 103 vjetorit të Kongresit të Lushnjës

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj vizitoi sot shtëpinë muze “Kongresi i Lushnjës” me rastin e 103 vjetorit të nisjes së punimeve të Kongresit të Lushnjës. Në përfundim të vizitës, Presidenti Begaj bëri një deklaratë për mediat, ku foli për rëndësinë e kësaj dite.

326121423 1236774806910816 2211187415684795484 n

“Kongresi i Lushnjës, është një ngjarje me mjaft rëndësi historike për Shqipërinë, është një nga momentet kyçe ku u garantua sovraniteti i Shqipërisë, u riafirmua Pavarësia e Shqipërisë, e shpallur në vitin 1912, u garantua vetëqeverisja dhe mirëfunksionimi i shtetit shqiptar dhe po ashtu për herë të parë u aprovua Statuti i Lushnjës, i cili ishte dokumenti i parë, Kushtetuta e parë e miratuar nga delegatë mbarëkombëtarë,” theksoi Presidenti Begaj.

325664511 1554453131735917 6888137227785618860 n

Kreu i Shtetit, duke u ndalur tek mesazhet e kësaj dite tha se: “E shkuara duhet të kujtohet jo vetëm për të kujtuar figurat e rëndësishme, ngjarjet e rëndësishme por edhe si moment reflektimi, për të nxjerrë mësime dhe frymëzuar. Në fakt Kongresi i Lushnjës na frymëzon. Gjithë ata delegatë vunë interesat e përgjithshme mbi interesin personal, interesin e Shqipërisë, mbi interesin e tyre, mbi mendimet apo qëndrimet e tyre të ndryshme. Për sfidën e kohës ata vendosën që është e rëndësishme Shqipëria përpara interesit të tyre. Mendoj që edhe sot është një thirrje shumë e madhe për të gjithë ne. Dhe për sfidat aktuale duhet të bëhemi të gjithë bashkë, për t’i përballuar ato me sukses dhe për të frymëzuar popullin shqiptar, siç frymëzoi Kongresi i Lushnjës,” përfundoi deklaratën e tij Presidenti Begaj.

323341754 908164723522677 1976850886841243792 n