21/12/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj dhe Zonja e Parë Armanda Begaj vizituan shkollën speciale “Zëra Jete” në Elbasan. Në këtë shkollë mësojnë 63 fëmijë me nevoja të veçanta. Një staf prej 26 mësuesish dhe punonjësish mbështetës u vjen në ndihmë atyre për të përvetësuar mësimet si dhe për të ndjekur programe specifike, në përshtatje me stadin e zhvillimit.
Kreu i Shtetit theksoi se është e rëndësishme që këta fëmijë të ndiejnë dashurinë e secilit prej nesh, kontributin e secilit prej nesh. “Ju premtoj se do t’ju mbështes kurdo që të jetë e nevojshme. Këta nxënës kaq të dashur duhet të ndiejnë dhe të kenë kujdesin e shtetit në cdo moment.”
Presidenti foli gjithashtu dhe për bullizimin, duke theksuar se “asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet kurrë i bullizuar.”
Presidenti Begaj theksoi se edhe pse kjo është një shkollë e arsimit special, është e rëndësishme të këmbëngulet fort për programet e arsimit gjithëpërfshirës ku askush nuk ndihet i veçuar dhe të gjithë duhet të kenë mundësi të jenë pjesë aktive e një shoqërie. Arsimi gjithëpërfshirës i kontribuon një shoqërie që ka si synim themelor përfshirjen dhe jo përjashtimin.
Presidenti shprehu vlerësim për mësuesit e kësaj shkolle që bëjnë një punë të shkëlqyer me fëmijët që mësojnë këtu. “Vazhdoni t’i mbështesni dhe me pasionin e një mësuesi dhe edukatori të ndikoni në jetën e tyre. Përshëndes dhe bashkëpunimin mes familjes dhe shkollës,” theksoi Presidenti Begaj, i cili falënderoi gjithashtu dhe prindërit e fëmijëve të pranishëm për të gjithë rolin e tyre në rritjen e fëmijëve.