Presidenti i Republikës së Shqipërisë

1

Lajme, Fjalime

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj takon trupin diplomatik në pritjen diplomatike të fillim vitit

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj takoi sot trupin diplomatik në pritjen diplomatike tradicionale që zhvillohet në fillim të vitit në Pallatin e Brigadave. Gjatë fjalës së tij, Presidenti ndau shqetësimin për situatën dhe rrezikun në Evropë dhe Ballkan.

“Shqipëria mbetet vendosmërisht në krah të ukrainasve, e aktivisht pjesë e bashkëpunëtore e aleancës euroatlantike. Shpresa jonë është që konflikti të marrë fund dhe agresori të zërë mend, duke kuptuar se kemi mjaft sfida për të përballuar globalisht, dhe luftërat e hapura të integritetit të vendeve e popujve nuk duhet të jenë pjesë e këtyre sfidave,” tha në fjalën e tij Presidenti.

Kreu i Shtetit falenderoi aleatët e partnerët tanë në NATO, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara “për mbështetjen e bashkëpunimin që Shqipëria t’i bëjë ballë sulmeve të natyrave të ndryshme e tentativave për të destabilizuar apo dëmtuar vendin tonë.” Presidenti nënvizoi se Shqipëria mbetet e gatshme të bashkëpunojë në nivel rajonal apo euroatlantik, për t’u bërë ballë sulmeve, provokimeve, si dhe për të forcuar paqen e mirëqënien e popujve. “Shqiptarët kanë ditur të jenë në krahun e popujve të tjerë në emër të lirisë, barazisë e mirëqënies. Duke forcuar drejtësinë, demokracinë dhe aleancat tona, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë,” tha Presidenti Begaj.

3 1

Hapat e bërë nga Ballkani drejt bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE ishin gjithashtu në vëmendjen e Presidentit gjatë fjalës së tij. “Dua të rishpreh gëzimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pse me vonesë. Besoj se organizimi i samitit të Ballkanit Perëndimor është shembull mirënjohjeje e vlerësimi, e unë uroj që mirënjohja e vlerësimi të kthehen në vlera themelore të një Bashkimi Europian që zgjerohet në Ballkan. Padyshim, këto janë vlera që do të duhet të arrijmë t’i përçojmë edhe përtej Europës,” tha Presidenti Begaj.

Duke dhënë një mesazh në emër të qytetarëve të Shqipërisë, Presidenti Begaj theksoi se: “shpreh bindjen kombëtare në paqe, dialog, demokraci, shtetin e së drejtës e vlerat ballkanike e europiane. Në këtë kuptim, shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual.”

Presidenti Begaj gjatë fjalës së tij nuk kaloi heshturazi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, “prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës.” Kreu i Shtetit në këtë drejtim tha se: “Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e  Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë. Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit.”

6

Kreu i Shtetit shtoi gjithashtu se: “Shqipëria do të jetë e ndjeshme, por e matur, në mbështetje të dialogut, por shumë e kujdesshme ndaj integritetit të shtetit kosovar. Ne mbështesim fort dialogun Serbi-Kosovë, por nuk kemi harruar kush është agresori dhe kë ka agresuar. Nuk harrojmë as vuajtjet e sakrificat e popullit kosovar. Është më e vështirë për qeverinë e popullit të sulmuar, që as ka dëgjuar ndonjëherë ndjesë nga pala tjetër, të ulet në tryezë dialogu. Është e udhës për qeverinë që ka përgjegjësinë historike të kërkojë ndjesën e agresionit dhe të jetë e para në tryezën e dialogut.”

2 1

Duke iu drejtuar ambasadorëve, Presidenti tha se: “si përfaqësues të vendeve tuaja në Shqipëri, besoj se ju jeni dëshmitarë të veçantë të cilësive të popullit tonë, e shpresoj bashkëudhëtarët tanë në ndërtimin e një bote pa paragjykime. Më lejoni të përmend këtu fjalët e një mjeshtri të madh të letërsisë shqiptare e botërore, Ismail Kadaresë, i cili thotë se: “Kultura shqiptare, ka qenë përherë mirënjohëse ndaj çdo mesazhi miqësor që vinte nga popuj të tjerë. Mirëkuptimit ajo i është përgjigjur me mirëkuptim, miqësisë – me miqësi dhe kjo është në traditën më të mirë të mendësisë kombëtare. Unë shpresoj të gjejmë miqësinë e mirëkuptimin tuaj, në mbështetje të shqiptarëve në suksesin e tyre.”

Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj uroi që 2023 të jetë një vit ku politika e jashtme të jetë rezultat i një ndërgjegjeje rajonale e globale.