26/08/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj priti sot në një takim Kryeministrin e Luksemburgut, Sh. T. Z. Xavier Bettel.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve, në këtë vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga Luksemburgu dhe 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për ndihmën e çmuar që Luksemburgu dha për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019, në Shqipëri.
Lidhur me procesin e integrimit evropian, si dhe vëmendjen që shoqëria dhe institucionet shqiptare i kushtojnë atij, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, gjatë gjithë këtij procesi.
Presidenti i Republikës tha se, mbështetja domethënëse e Luksemburgut për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka marrë një rëndësi edhe më të madhe gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit të armatosur rus në Ukrainë.
Presidenti Begaj e falënderoi Kryeministrin Bettel edhe për hapësirat dhe kushtet që Luksemburgu i ka krijuar komunitetit shqiptar, që jeton e punon atje.
Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Bettel vunë theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi, si e vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.
Ata ndanë mendime mbi zhvillimet politike ndërkombëtare, me fokus pasojat dhe ndikimin e luftës në Ukrainë, për rendin botëror dhe sigurinë e paqen në tërësi.