Presidenti i Republikës së Shqipërisë

ambasadori britanik

Lajme

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj priti Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sh. T. Z. Alastair King-Smith

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj priti dje Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Sh. T. Z. Alastair King-Smith, me të cilin bisedoi për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh, si dhe për zhvillimet e ndryshme rajonale e ndërkombëtare.

Presidenti Begaj vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit politik, por edhe kontributin e dhënë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe të rendit, si dhe përshëndeti angazhimin e Kryeministres së re të Mbretërisë së Bashkuar, zonjës Liz Truss, për rishikimin e rregullave të emigracionit të ligjshëm, duke e konsideruar atë një kontribut të shtuar në luftën kundër trafiqeve të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për reagimin e menjëhershëm të autoriteteve britanike në dënimin e sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe shërbimeve elektronike qeveritare shqiptare nga aktorë të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, si dhe për mbështetjen e Qeverisë britanike për aleatin e saj në NATO, në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të infrastrukturës kibernetike.

Ambasadori King-Smith nga ana e tij e njohu Presidentin Begaj me kontributin e agjencive britanike të sigurisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe me kontributin e të dërguarit të posaçëm të Qeverisë britanike për paqen dhe stabilitetin e rajonint të Ballkanit Perëndimor.