Presidenti i Republikës së Shqipërisë

ambasadorja franceze

Lajme

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj priti Ambasadoren e Republikës Franceze, Sh. S. Znj. Elisabeth Barsacq

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj priti sot Ambasadoren e Republikës Franceze në Tiranë, Sh. S. Znj. Elisabeth Barsacq.

Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe të partneritetit strategjik që ekzistojnë midis dy vendeve dhe nënvizoi se nga marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira i përgjigjen interesave dhe sfidave të përbashkëta, përfshirë edhe ato në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj ia kushtoi edhe mundësisë së bashkëpunimit në fushën energjetike, duke inkurajuar më shumë prani të kompanive franceze në këtë drejtim.

ambasadorja franceze2Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen për çeljen së fundmi të negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, si dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Kreu i Shtetit përshëndeti gjithashtu angazhimin e rikonfirmuar të Francës dhe të Presidentit Macron në drejtim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Republikës vlerësoi angazhimin e drejtpërdrejtë për rigjallërimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, me synim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që do të kishte një ndikim të menjëhershëm në sigurinë, stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin shumë të mirë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria është anëtare jo e përhershme për periudhën 2022-2023, veçanërisht për trajtimin e agresionit rus në Ukrainë.