Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, pret Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rumanisë, Gjeneral Daniel Petrescu.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në takim Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rumanisë, Gjeneral Daniel Petrescu. Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Rumanisë si dy vende aleate në NATO dhe theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit në nivel dypalësh.
Kreu i Shtetit u ndal te zhvillimet gjeopolitike, te cilat si rezultat i luftës në Ukrainë janë bërë të paparashikueshme. Në këtë kontekst, rritja e investimeve në fushën mbrojtjes dhe zhvillimi i kapaciteteve duhet të jenë prioritet.
Presidenti theksoi se Shqipëria dhe Rumania janë pjesë e disa nismave rajonale, të cilat e kanë përmbushur më së miri rolin e tyre në drejtim të integrimit në NATO, si dhe në krijimin e një klime mirëbesimi e bashkëpunimi ndërmjet Forcave të Armatosura të vendeve të rajonit. Kreu i Shtetit u ndal edhe te zhvillimet në rajon, me fokus zhvillimet në veri të Kosovës.
Presidenti Begaj vlerësoi misionin e NATO-s, KFOR-it në Kosovë si garantues i paqes dhe sigurisë, si dhe falënderoi Gjeneral Petrescu për kontributin që Forcat e Armatosura të Rumanisë japin në kuadër të misionit KFOR.