08/11/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj nisi sot një tur vizitash në Qarkun e Kukësit, ku u takua me përfaqësuesit e pushtetit vendor si dhe përfaqësues të komunitetit.
Presidenti Begaj u prit nga Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici me të cilin diskutoi lidhur me sfidat me të cilat përballet kjo bashki si dhe perspektivën e zhvillimit, nxitjen e investimeve dhe rritjen e bashkëpunimit mes autoriteteve vendore dhe komunitetit.
“Punësimi është një sfidë e vazhdueshme jo vetëm për këtë qark, por për të gjithë Shqipërinë, por nxitja e bizneseve, sipërmarrjeve sado të vogla të jenë – gjithnjë me një strategji lokale zhvillimi, do të rikthejë shpresën, do të mbajë banorët të fokusuar të komuniteti dhe do të ndihmojë Kukësin dhe të gjithë qarkun të ecë përpara”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Begaj zhvilloi edhe një takim me prefektin e Qarkut Kukës, Ali Hallaci, ku u diskutua edhe për efektet e emigracionit në këtë qark si dhe mundësitë për të krijuar kushte të përshtatshme për të rinjtë që ta projektojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Presidenti Begaj theksoi se “mënyra më e mirë që kemi për të mbajtur të motivuar të rinjtë në Shqipëri, është të punojmë të gjithë bashkarisht, duke thelluar bashkëpunimin institucional, duke dëgjuar zërin dhe kërkesat e shqiptarëve, në mënyrë që të bëjmë qëndrimin në vend një alternativë shumë të mirë për jetën e tyre”.
Të dy bashkëbiseduesit e vunë theksin te mbështetja e të rinjve, përfshirja e tyre në komunitet, nxitja e rolit aktiv në vendimarrjen lokale dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për ta si një domosdoshmëri. “Një gjë e tillë sjell një perspektivë të re zhvillimi dhe mban të angazhuar të rinjtë në komunitet dhe struktura lokale”, vuri në dukje kreu i shtetit.
Gjatë vizitës në Kukës, Presidenti Begaj vizitoi Kullën e Qëndresës – një simbol i mbështetjes, kurajës dhe lidhjes së natyrshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Është detyra jonë të krijojmë kushtet dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës në vendin ku ne banojmë. Kukësi është qytet i mrekullueshëm. Është një qytet që ka treguar mikpritje të jashtëzakonshme gjatë kohës së luftës në Kosovë. Eshtë koha për të fokusuar investimet, qoftë qendrore qofte lokale në dretim të turizmit, në drejtim të bizneseve të vogla për ta bërë qytetin e Kukësit të banueshëm dhe të jetueshëm për të gjithë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i shtetit vizitoi edhe mjediset e RTV Kukësit dhe u takua me stafin e saj, duke theksuar se kjo studio lokale e RTSH është një pasuri e medias publike në vendin tonë.
“Radio Kukësi u kthye në zërin e shpresës dhe të kurajës për shqiptarët e Kosovës dhe mikpriti shumë media të huaja, gazetarë nga e gjithë bota që mbërritën e u stacionuan aty për të raportuar lidhur me ngjarjet dhe luftën në Kosovë, genocidin serb dhe eksodin drejt Shqipërisë”, theksoi Presidenti Begaj.
Vizita e Presidentit në qarkun Kukës do të vijojë me një takim me kryetarin e Bashkisë së Hasit, Liman Morina.