25/12/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj vizitoi sot Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin Anastas Janullatos në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë, me rastin e festës së Krishtlindjes.
Presidenti Begaj përcolli urimet më të mira për të gjithë besimtarët e fesë ortodokse për këtë ditë të rëndësishme: “Kjo ditë na rikthen te njëri-tjetri dhe te dëshira për të qenë të bashkuar, për të sjellë dhe kultivuar paqe, bashkëpunim e solidaritet, për t’u kujdesur për tjetrin me dëshirë e dashuri. Kjo festë, na rikujton se thjeshtësia dhe përulësia janë vlera njerëzore dhe virtyte të çmuara që i shërbejnë paqes dhe harmonisë në familje e komunitet dhe nxisin prosperitetin mes popujve. Dashuria për njëri-tjetrin duhet të mbizotërojë, sepse vetëm ajo e bën botën një vend më të mirë për të gjithë,” tha Presidenti.
Presidenti Begaj përfitoi nga rasti për të uruar Kryepeshkopin Janullatos që një muaj më parë celebroi 50 vjet si Peshkop dhe 30 vjet si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në fund të takimit, Presidenti Begaj uroi dhe njëherë Kryepeshkopin Janullatos dhe të gjithë besimtarët ortodoksë për festa sa më të gëzuara.