25/12/2022• Lajme• Bianka Hada
Me rastin e festës së Krishtlindjes, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj u takua me Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, të Kishës Katolike të Shqipërisë në Katedralen Katolike në kryeqytet. Presidenti Begaj përcolli urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët katolikë: “Uroj nga zemra që kjo ditë të sjellë dritë, shpresë dhe mirësi për të gjithë, në këto kohë jo të lehta. Kjo ditë e veçantë, dita simbol e lindjes së Krishtit, zgjon shpresën dhe gëzimin në zemrat tona, na rikthen te vlerat njerëzore e fetare, te familja dhe te besimi,” theksoi Presidenti.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj riktheu në vëmendje takimin me Papa Françeskun disa ditë më parë në Vatikan. “Papa Françesku është një mik i madh i shqiptarëve ndaj i përcolla ftesën për të vizituar sërish Tiranën. Mesazhet e tij për një botë në paqe ku të gjithë duhet të jemi më solidar, padyshim kanë rezonancë kudo në botë, ashtu sikundër edhe në Shqipëri. Thirrja e djeshme, ku Ati i Shenjtë kërkoi nga njerëzit që të bëjnë diçka të mirë për të risjellë shpresën, vjen e fortë për të gjithë besimtarët e krishterë dhe jo vetëm,” tha Presidenti.
Presidenti Begaj në fund të fjalës së tij uroi Imzot Dodajn dhe të gjithë besimtarët për festa sa më të gëzuara!