Presidenti i Republikës mban një ligjëratë në Qendrën Europiane “Xhorxh Marshall”

Presidenti i Republikës mban një ligjëratë në Qendrën Europiane “Xhorxh Marshall”

Garmish, Gjermani

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi Qendrën Europiane “Xhorxh Marshall” në Garmish të Gjermanisë, si i Ftuar Nderi për të folur mbi çështjet e sigurisë dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit.

Gjatë fjalës së Tij, Presidenti Meta vlerësoi Qendrën “Xhorxh Marshall”, simbol të partneritetit strategjik amerikano-gjerman, e cila ka mirëpritur dhe ka specializuar më shumë se 800 pjesëmarrës nga Shqipëria që në vitin 1993 e deri më sot.

Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi i NATO-s dhe kompaktësia e Bashkimit Europian kundrejt rajonit të Ballkanit Perëndimor mbeten kyç për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.

Ndërkohë që Ballkani mbetet një punë e papërfunduar, SHBA-të dhe BE-ja duhet të mbyllin me sukses investimin e tyre të përbashkët, më historikun dhe më angazhuesin që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Në vijim ligjërata e plotë e mbajtur nga Presidenti Meta në Qendrën Europiane ‘Xhorxh Marshall” e titulluar “Shqipëria – Siguria dhe Integrimi Euro-Atlantik në Ballkan”:

“Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Faleminderit Gjeneral Dejton për fjalët tuaja të mira si dhe për pritjen! Vizitën në Qendrën Europiane “George Marshall” e prita me padurim për shumë arsye.

Së pari, që nga viti 1993, Shqipëria ka gëzuar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Qendrën. Më shumë se tetëqind ushtarakë dhe civilë janë stërvitur në programet unike të kësaj Qendre, një kontribut i çmuar në rritjen e kapaciteteve të Forcave tona të Armatosura dhe Trupit Diplomatik.

Së dyti, kjo qendër udhëhiqet nga personalitete të mëdha, si Gjenerali Dejton dhe kolegët e tjerë të tij.

Falë përvojës, njohurisë dhe përkushtimit të tyre të mahnitshëm, Qendra ofron një mjedis të jashtëzakonshëm dhe një rrjet profesionistësh të talentuar.

Jam i lumtur që një grua e shkëlqyer shqiptare, znj. Valbona Zeneli, është pjesë e këtij ekipi si Profesore e Studimeve të Sigurisë Kombëtare dhe Drejtoreshë e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë.

Gjithashtu më bën përshtypje kur shoh një grup të tillë të larmishëm pjesëmarrësish, dhe akoma e më shumë fakti që rajoni i Ballkanit është përfaqësuar më së miri sot këtu.

Dhe së treti, kjo Qendër mban emrin e një shtetari të madh, Xhorxh Marshall, udhëheqja dhe vizioni i të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot e kësaj dite, ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë jetës së tij.

Thelbi i arritjeve të sotme nuk mund të kuptohet pa pranuar rolin dhe ndikimin e Planit të njohur Marshall në Europën e shkatërruar nga lufta dhe në përgjithësi në aleancën trans-atlantike të themeluar më pas.

U ftova të flas me ju për sigurinë dhe integrimin euroatlantik në Ballkan, të para nga perspektiva shqiptare.

Dua t’ia nis duke pohuar se në fillim të viteve 90-të vendi im ishte shumë me fat që në pragun e tij gjeti modelet më të mira të arkitekturës së sigurisë në historinë e njerëzimit: NATO-n dhe Bashkimi Europian.

Për rajonin e Ballkanit ato kanë provuar të jenë të dobishme në të dyja periudhat, në kohë lufte e në paqe gjithashtu.

Dua të theksoj faktin se ndërhyrja e NATO-s, dhe veçanërisht ajo e SHBA-së, si dhe përfshirja e Bashkimit Europian në një mënyrë vendimtare e të vendosur, e shpëtuan Ballkanin nga shndërrimi i tij në Lindjen e Mesme të Europës.

Arkitektura e sigurisë u mbështet nga procesi i integrimit europian, duke e ankoruar këtë rajon tërësisht dhe me vendosmëri në vlerat dhe standardet perëndimore.

Njësoj siç ndodhi me Planin Marshall në Europën e pasluftës, investimet politike, ekonomike dhe ushtarake të kryera në Ballkan nga SHBA-të, NATO-ja dhe Bashkimi Europian synuan rimëkëmbjen nëpërmjet krijimit të qeverive demokratike, sundimit të ligjit, ekonomive të tregut dhe respektit për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.

Politika e dyerve të hapura te NATO-s dhe politika e zgjerimit të BE-së ishin po aq jetike e strategjike për ta ndarë e shkëputur këtë rajon nga e kaluara e tij konfliktuale duke e drejtuar drejt te ardhmes paqësore, të qëndrueshme e të begatë.

Përcaktimi dhe sanksionimi i bashkëpunimit rajonal nga ana e tyre si parakusht për integrimin e ardhshëm nxiti një epokë të re të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve tanë.

Duke filluar nga Partneriteti për Paqe dhe Pakti i Stabilitetit, dhe se fundmi me Kartën e Adriatikut dhe Procesin e Berlinit, kanë ofruar mekanizma efikase për të zhvilluar dhe begatuar edhe më tej vendet tona, si dhe kanë forcuar marrëdhëniet tona strategjike me NATO-n dhe BE-në.

Duke shenuar ndarjen nga e kaluara, nismat dhe forumet rajonale lulëzuan, duke ofruar mundësi në kohë reale për të diskutuar të gjitha çështjet, përfshirë edhe ato që dikur konsideroheshin tabu.

Një nga arritjet më të rëndësishme në rajonin tonë ka qenë politika e Bashkimit Europian për liberalizimin e lëvizjes së njerëzve. Nëpërmjet këtij procesi ne rigjetëm besimin dhe vendin tonë në Europë dhe në Aleancën Trans-Atlantike.

Me një impakt jashtëzakonisht pozitiv dhe të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve tanë, lëvizja pa viza u përsërit brenda rajonit dhe shërbeu si katalizator për një platformë më ambicioze të projekteve të përbashkëta në fushat strategjike.

Gazsjellësi Trans-Adriatik është projekti më i rëndësishëm gjeo-strategjik ne fushen e energjise në rajonin tonë.

Duke synuar diversifikimin e furnizimit me energji në Europë dhe rrjedhimisht, zvogëlimin e varësisë nga gazi rus, TAP-i sjell gazin në rrjetin europian nga Shah Denis, përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.

Po ashtu ai ka potencialin që të zgjerohet në IAP, në Mal të Zi dhe në Kroaci, por gjithashtu edhe me Kosovën si dhe Maqedoninë.

Një tjetër projekt strategjik që ka të bëjë me ndërlidhjen më të mirë në rajon është Korridori i Kaltër, që synon ndërtimin e një autostrade përgjatë Adriatikut dhe Jonit, nga Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria në Greqi, duke nxitur turizmin dhe tregtinë në secilin nga vendet tona dhe rritjen e ekonomisë të rajonit në tërësi.

I veçova dhe i vura në pah këto dy projekte të përbashkëta, sepse ato lidhen drejtpërdrejt me arkitekturën e re të sigurisë në rajonin tonë.

Këto investime nuk do të kishin qenë kurrë të mundura nëse rajoni do të kishte zgjidhur një kurs tjetër, të ndryshëm, nga perspektiva evropiane dhe euroatlantike.

Nga ana e tyre, këto projekte pasurojnë dhe forcojnë modelin e sigurisë të zonës europiane dhe euroatlantike.

Teksa kërkojmë më shumë mundësi bashkëpunimi konkret, nuk mund të heqim dorë nga nevoja për të zhvilluar edhe më tej vendet tona, si një vlerë e shtuar për këtë bashkëpunim.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Shqipërisë thotë se “Veprimet tona sot përcaktojnë trashëgiminë për brezat që do të vijnë dhe të ardhmen e tyre”.

Dokumenti sanksionon 7 domosdoshmeri strategjike që integrojnë çdo dimension të fuqisë kombëtare:

• Forcimin e sundimit të ligjit dhe mirëqeverisjen; • Rritjen e qëndrueshme ekonomike; • Edukimin cilësor; • Sektorë të mirëzhvilluar të sigurisë dhe të mbrojtjes; • Ruajtjen e kohezionit social dhe identitetin kombëtar; • Angazhimin rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe përparimin e integrimit në Bashkimin Europian.

Kjo strategji njeh dhe pranon faktin se sa më të integruar të jemi në një botë komplekse e të ndërvarur, aq më shumë ndërlidhen kërcënimet e brendshme dhe të jashtme me të cilat përballemi.

Ne jemi realistë duke kuptuar se forcat, rrjetet dhe aktorët rivalë që sfidojnë ngrehinën europiane dhe euroatlantike janë të forta, të vazhdueshme dhe ne sofistikim të pandërprerë.

Ne mund t’i përballojmë këto rreziqe vetëm përmes partneritetit strategjik kolektiv në një mënyrë të tillë, që mbron gjithmonë interesat tona të përbashkëta, si dhe ato kombëtare.

Përfshirja e SHBA-së dhe partneriteti amerikano-gjerman janë kyçe për ruajtjen e këtyre interesave në këtë pjesë të botës.

Jemi dakord që të gjitha vendet duhet të ndajnë barrën dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për të ruajtur cilësinë dhe efikasitetin e arkitekturës aktuale të sigurisë.

Për këtë qëllim, vendi im ka qëndruar krah për krah me partnerët e tij strategjikë, në përpjesëtim me madhësinë dhe kapacitetet tona modeste.

Ne jemi zotuar që, në gjirin e NATO-s dhe BE-së, të vazhdojmë dhënien e kontributit në operacione të shumta në rajonin tonë dhe më gjerë.

Që nga viti 1996 më shumë se 6500 pjesëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe civilë kanë marrë pjesë në operacione paqëruajtëse ndërkombëtare.

Vitin e kaluar kemi trefishuar kontributin e trupave tonë në Afganistan duke arritur në 135 vetë. Jemi pjesë e misionit detar të NATO-s në Detin Egje që ndihmon FRONTEX-in për të ndaluar emigrimin e paligjshëm, duke përfshirë dhe atë në Detin Mesdhe.

Shqipëria u është bashkangjitur të gjitha nismave në luftën kundër terrorizmit dhe u bashkua me reagimin e menjëhershëm të Koalicionit Botëror kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Gëzojmë një bashkëpunim shembullor me Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë, siç mishërohet edhe në Dokumentin e Partneritetit Strategjik.

Shqipëria është gjithashtu i vetmi vend në rajon që përputhet plotësisht me politikën e Jashtme e të Sigurisë së përbashkët të Bashkimin Europan.

Këto partneritete strategjike kontribuojnë në sigurinë tonë kombëtare, por edhe në sigurinë e rajonit të Ballkanit, të Europës dhe të hapësirës së NATO-s.

Strategjia jonë e Sigurisë Kombëtare parashikon që përveç kërcënimeve konvencionale, krimi i organizuar ndërkufitar, trafiku ilegal dhe emigrimi i paligjshëm, përbëjnë kërcënime të menjëhershme për Shqipërinë dhe rajonin.

Është e domosdoshme që mes vendeve tona të vazhdojë një bashkëpunim proaktiv, i ngushtë dhe efikas, me ndihmesën e vëmendshme të aleatëve tanë.

Për këtë qëllim, Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka nënshkruar një Marrëveshje Status me Agjencinë Kufitare dhe Rojen Bregdetare Europiane për të përmirësuar bashkëpunimin me BE-në rreth këtyre çështjeve.

Sot në botë po ndryshojnë shumë gjëra, por interesat e Shqipërisë mbeten të pandryshueshme.

Ne jemi të interesuar për një rajon të paqtë, të qëndrueshëm dhe të sigurt, të ankoruar plotësisht në NATO si dhe të integruar në Bashkimin Evropian.

Duam të shohim një rajon që zhvillohet më tej dhe që përparon, në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe që u përgjigjet qytetarëve të vet në secilën prej 6 vendeve.

Kur mozaiku ballkanik ndryshoi pas pavarësisë së Kosovës, faktori shqiptar ka marrë përgjegjësinë e tij historike për t’u shndërruar në një katalizator kryesor të zgjerimit të kufijve të NATO-s dhe BE-së në këtë rajon.

Kemi demonstruar një prirje të vendosur civile dhe politike për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në, si garantuesit më të besueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Shqiptarët në Malin e Zi kane qene gjithnje faktor përcaktues në miratimin e pranimit në NATO.

Referendumi në Maqedoni dëshmoi gjithashtu se shqiptarët ishin kompaktë në votim pro Marrëveshjes së Prespës dhe rrjedhimisht, në favor të hapjes së perspektivave të NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Nuk kemi asnjë arsye për të pasur ndonjë dilemë rreth këtyre themeleve të interesave tona kombëtare.

Nuk mund të kemi asnjë projekt tjetër që do t’i largonte shqiptarët nga trajektorja e respektimin të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, thelbësore për çdo demokraci të botës së lirë.

Rajoni ynë tashmë ka hyrë në fazën e konsolidimit, në perspektivën e NATO-s dhe BE-së.

Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende të NATO-s, dhe shpresojmë se edhe Republika e Maqedonisë do të përfitojë nga një anëtarësim i saj i ardhshëm.

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është një arritje e rëndësishme për sigurinë jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në kontekstin e NATO-s dhe në atë global. Ky anëtarësim krijoi një zinxhir detar të mbyllur sigurie, si në Adriatik ashtu edhe në detin Jon.

Prandaj, ne u bëmë dëshmitarë të shumë përpjekjeve të rrezikshme për ta sabotuar dhe për ta bllokuar këtë proces të rëndësishëm.

Kroacia është anëtari më i ri i BE-së; Serbia dhe Mali i Zi po negociojnë kapitujt e anëtarësimi dhe Shqipëria dhe Maqedonia ndoshta do t’i ndjekin ato nga pas së shpejti;

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova po kalojnë përmes marrëveshjeve të tyre të Stabilizim Asociimit;

Dialogu mes të Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga BE-ja, po hyn në fazën e vet përfundimtare, në më të rëndësishmen dhe kritiken;

Dhe, sipas mendimit tim, nevojiten vetëm përpjekje të bashkërenduara amerikane dhe europiane për ta çuar deri në fund këtë punë ende të papërfunduar, ose këtë fazë të rëndësishme konsolidimi në Ballkan.

Propozimi i fundit për një debat të ri mbi atë që do të përbënte marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, po konsumon shumë energji.

Hapja e një debati të tillë në një kohë kur janë ngritur flamujt e kuq sinjalizues e paralajmërues nga SHBA-ja dhe BE-ja për përfshirjen e aktorëve të tretë në rajon, e bën atë edhe më alarmues.

Le të risjellim në kujtesën tonë se si ambiciet politike që u përpoqën të krijojnë shtete etnike homogjene në Ballkan prodhuan tragjedi të tmerrshme njerëzore.

Ky terror çoi në angazhimin e parë ushtarak të Aleancës Perëndimore në historinë e saj pesëdhjetëvjeçare.

Modeli europian i bashkëjetesës është i vetmi kusht si ne qua non (i domosdoshëm) për të ardhmen e Ballkanit dhe perspektivën e tij europiane.

E kuptoj plotësisht shqetësimin e disa zërave europianë, të zhgënjyer, në një farë mënyre, nga “problemet e pazgjidhura të kufijve” mes vendeve të BE-së dhe tani, ata pretendojnë dhe paraqesin “zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje” si një kusht të fortë para anëtarësimit.

Por në të njëjtën kohë, unë jam kundër çdo procesi, angazhimi, projekti që, në rajonin e Ballkanit, mund të bjerë ndesh me investimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian për çështjen e sigurisë, stabilitetit, paqes dhe gjeopolitikën.Çështjet e kufijve nuk janë thjesht projekt për ndërtimin e një rruge, apo të një rezorti turistik në fshat, ku nevojitet për një kompjuter, ca vija harte gjeografike dhe disa ustallarë informatikë.

Sidomos në një rajon, ku vetëm 20 vjet më parë, popullata të tëra, qytete, fshatra, familje, etni dhe besime të ndryshme luftuan dhe u masakruan për qytete, fshatra dhe sinore shtëpish, projektet e shkëmbimit të kufijve bëhen një çështje veçanërisht e rrezikshme dhe me ndjeshmëri të lartë.

Çështja e kufijve lidhet me jetën e përditshme të njerëzve dhe historinë e tyre.

Është çështje e së kaluarës, e së tashmes dhe së ardhmes së këtyre njerëzve.

Është çështje e urtësisë dhe e pjekurisë; është çështje e bashkëpunimit dhe përfshirjes; është çështje e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëjetesës paqësore në rajonin tonë.

Rezultati i referendumit në Maqedoni duhet të jetë një sinjal zgjimi që edhe marrëveshjet më të mira të mundshme, me mbështetje të qartë dhe të madhe ndërkombëtare, nuk janë edhe aq të lehta për t’u zbatuar në një kontekst të ndërlikuar.

Unë shpresoj që Marrëveshja e Prespës të gjejë rrugën e saj nëpër Parlamentin maqedonas dhe atë grek, dhe t’I çelë dyert e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian.

Ballkani nuk është as rajoni më i rëndësishëm, as vendi më i nxehtë në botë.

Por është rajoni ku Perëndimi, NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë investimin më historik politik, ushtarak dhe ekonomik pas viteve 1990-të.

Dhe ashtu si Xhorxh Marshall do të thoshte: ‘Kur një gjë është bërë, është bërë e ka marrë fund sakaq… Hidhni sytë e shikoni para drejt qëllimit tuaj të ardhshëm’!

Dhe teksa Ballkani mbetet një punë ende e papërfunduar, sigurimi i suksesit të plotë të investimeve afatgjata në këtë rajon do të ishte objektivi i ardhshëm.”

]]>