14 Korrik 2020 Presidenti Meta zhvillon një takim me Kryetarin e sapozgjedhur të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Kryetarin e sapozgjedhur të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotin Arben Shehu me rastin e fillimit të ushtrimit të detyrës prej tij.
Presidenti Meta, duke i uruar suksese në detyrën e tij, i kërkoi zotit Shehu, që veprimtaria e Kontrollit të Lartë të Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar politikisht.
Presidenti Meta theksoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet t`i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, e garantoi Presidentin e Republikës për ushtrimin me transparencë të funksioneve kushtetuese të institucionit për të cilin është votëbesuar ta drejtojë, në mënyrë profesionale dhe të depolitizuar.