Presidenti Meta zhvillon homazhe në nderim të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha, i rënë në krye të detyrës

Presidenti Meta zhvillon homazhe në nderim të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha, i rënë në krye të detyrës

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot homazhe në nderim të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha, i rënë në krye të detyrës.

Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para trupit të pajetë, u shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe la një shënim në Librin e Zisë të hapur me këtë rast të dhembshëm.

Në një prononcim për mediat, Presidenti Meta u shpreh:

“Është një moment i dhembshëm, t’i japim sot lamtumirën e fundit një oficeri hero të Policisë së Shtetit, por edhe një prindi dhe një familjari të shkëlqyer si Nënkomisar Saimir Hoxha, i cili kurrsesi nuk e meritonte të ndahej nga jeta, nga familja, nga shokët, nga komuniteti dhe qytetarët të cilëve u shërbeu me besnikëri, duke sakrifikuar dhe jetën e tij trimërisht.

Është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por njëkohësisht edhe për dekurajimin e krimit ordiner, ashtu sikurse është një prioritet lufta çdo sekondë kundër trafikut të drogës, kundër atyre të cilët jo vetëm përfitojnë prej saj, por njëkohësisht edhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj dhe fëmijë, të cilët për fat të keq bien pre e këtij fenomeni shkatërrimtar dhe janë përgjegjës për akte të tilla, që tronditin një shoqëri të tërë.

Kjo është një luftë, që duhet bërë çdo sekondë dhe për të cilën nuk duhet të kujtohemi vetëm në momente të tilla tragjike.

Është momenti për të mbështetur më shumë Policinë e Shtetit në këtë luftë mjaft të rëndësishme, por mbi të gjitha, për të mbrojtur të gjithë shoqërinë tonë, të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë, të cilët duhet të jetojnë në një vend të sigurt dhe në paqe”, – u shpreh Kreu i Shtetit.