17 Dhjetor 2018 Presidenti Meta: Zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga të gjithë.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti sot ceremoninë e organizuar në Hotel “Tirana International” me rastin e 11-vjetorit të përfundimit të programit të Akademisë shqiptare të Studimeve Politike dhe të dorëzimit të diplomave brezit të ri, që përfundoi studimet këtë vit.
“Angazhimi juaj për thellimin edhe më shumë të dijeve dhe për krijimin e një botëkuptimi më të pasur mbi organizimin politik të shoqërisë janë gjithmonë një lajm i mirë për vendin.
Programe të tilla arsimore ndihmojnë për rritjen e vetëdijes shoqërore, të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare mbi sfidat që përballim çdo ditë.
Jam i sigurt se ju ndiheni më të përgatitur, më me vetëbesim dhe më entuziastë për të ardhmen se një vit më parë. Diplomimi i sotëm nuk është fundi i një rrugëtimi të vështirë, por vazhdimi i përpjekjeve për përmbushjen e qëllimeve dhe potencialit tuaj në jetë.” – iu drejtua Presidenti Meta të pranishmëve.
“Ky është viti i dytë që unë marr pjesë në ceremoninë e diplomimit, dhe me kënaqësi konstatoj se përsëri gratë dhe vajzat mbizotërojnë në trupën e studentëve. Kjo është një tjetër shenjë e vitalitetit dhe forcës së shoqërisë shqiptare ku fuqizimi i grave duhet të vijë natyrshëm, por edhe falë ambicies dhe përkushtimit gjithnjë e më të spikatur të atyre vetë.
E vlerësoj faktin që Akademia e Studimeve Politike e ka rrokur më së miri këtë qasje duke kontribuar drejtpërdrejt në emancipimin e mëtejshëm të politikës shqiptare dhe të institucioneve tona me përfaqësimin gjithnjë në rritje të grave dhe vajzave, si frymëzuese të një vendimmarrjeje dhe politikbërjeje më të përgjegjshme, më gjithëpërfshirëse dhe njëkohësisht edhe më cilësore e humane.
Gjej rastin t’i falënderoj edhe një herë për angazhimin e tyre në mbështetje të të rinjve shqiptarë përmes edukimit profesional e në mënyrë të veçantë edhe përmes kësaj shkolle,” – theksoi Presidenti i Republikës.
“Edukimi më i mirë i të rinjve, si profesionistë, si politikanë, si administratorë publikë, si drejtues të shoqërisë civile, ndihmon në demokratizimin e mëtejshëm e të plotë të vendit, në përmirësimin e mirëqeverisjes, në nxitjen e politikave efikase dhe të dobishme publike dhe në rritjen e nivelit të komunikimit politik, aq të nevojshëm e të shumëdëshiruar nga të gjithë.
Energjia pozitive, kreativiteti, guximi dhe entuziazmi i të rinjve padyshim që përbëjnë një rol transformues të çdo shoqërie për induktimin e mendësisë dhe kulturës së re të të studiuarit, të të punuarit dhe të të jetuarit.
Të gjithë ne, si përfaqësues të institucioneve dhe në përgjithësi si shoqëri, na duhet të reflektojmë thellë për kapitalizimin e këtij potenciali të jashtëzakonshëm njerëzor e rinor në dobi të të ardhmes së gjithë vendit.
Në këtë kontekst, nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit.
Mendoj se ka një konsensus të gjerë publik që i konsideron kërkesat e tyre si të drejta, legjitime dhe plotësisht të realizueshme. Ndaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë.
Unë kam besim se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë për një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e këtyre kërkesave të drejta në interesin më të mirë, jo thjesht të studentëve, por në radhë të parë në interesin më të mirë të gjithë vendit.
Formimi profesional i të rinjve në të gjitha fushat është domosdoshmëri. Pa bërë një ndryshim të ndjeshëm e afatgjatë për investimin në kapitalin njerëzor do ta kemi të vështirë për një rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse!” – nënvizoi gjatë përshëndetjes së Tij Presidenti Meta.