Presidenti Meta vlerëson volejbollistë të dalluar sarandjotë të “Butrintit” dhe Ekipit Kombëtar: Personalitete frymëzuese për rininë drejt rrugës së suksesit

Presidenti Meta vlerëson volejbollistë të dalluar sarandjotë të “Butrintit” dhe Ekipit Kombëtar: Personalitete frymëzuese për rininë drejt rrugës së suksesit

Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne të organizuar në qytetin e Sarandës, vlerësoi tre volejbollistë të shquar të “Butrintit” dhe Ekipit Kombëtar.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekoruan volejbollistët:

Z.Kostaq Stefani “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në sportin e volejbollit, si sportist i dalluar i ekipit ‘Butrinti”, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar. Protagonist në shumë suksese të skuadrës së volejbollit të Sarandës. I suksesshëm në veprimtaritë ndërkombëtare.”;

Z.Orest Lepuri “Në shenjë vlerësimi për pasionin, dhe karrierën e suksesshme si lojtar dhe trajner i volejbollit të skuadrës “Butrinti” të Sarandës. I dalluar për profesionalizmin dhe arritjet e tij në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” u vlerësua zoti Janaq Zhaka “për pasionin, përkushtimin dhe karrierën e suksesshme si lojtar i volejbollit të skuadrës “Butrinti” të Sarandës. I dalluar për lojën dhe korrektësinë e tij në fushën e lojës.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar volejbollistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, Presidenti Meta theksoi:

“Saranda në historinë e saj ka dhe një sport të dashur dhe shumë popullor, si volejbolli.

Volejbolli në Sarandë është pjesë e trashëgimisë kulturore dhe e krenarisë së çdo sarandjoti.
Skuadra e volejbollit për meshkuj ‘Butrinti’, u bë një nga skuadrat më të forta të kampionatit shqiptar, ku  të gjithë të mëdhenjtë e volejbollit duhet t’i bënin mirë llogaritë në ndeshjet me të, sepse Butrinti edhe te shkurorëzonte.

Ajo ka qenë një nga skuadrat që ka përcaktuar fatet e titujve kampionë në vendin tonë, falë shpirtit të garës dhe atij publiku të mrekullueshëm dhe tifozerie të zjarrtë.

Prandaj, ju përshëndes me respekt, për pasionin, sakrificat dhe sukseset tuaja në vite, që i dhatë qytetit të  Sarandës, aq shumë rezultate dinjitoze në sportin e volejbollit!

Falënderoj me këtë rast të gjithë mësuesit dhe trajnerët, që kanë punuar pa u lodhur për të përgatitur sportistë të nivelit të lartë cilësor, të cilët  kanë kontribuar në rezultatet e arritura të skuadrës së volejbollit ‘Butrinti’ edhe në nivel kombëtar!

Volejbolli dhe sporti në Sarandë ka nevojë, jo vetëm të vlerësojë historinë e tij të lavdishme, por njëkohësisht edhe ta vendosë atë në lëvizje për të përfshirë më shumë fëmijë dhe të rinj, si dhe për t’iu rikthyer këtyre sukseseve në shërbim për të ardhmen.

Volejbolli dhe sporti në Sarandë kanë nevojë pikërisht për shembuj të tillë mjaft pozitiv, për këto personalitet të cilët frymëzojnë të rinjtë e çdo fëmijë të Sarandës për të qenë nesër një kampon i mundshëm.

Titujt e lartë që iu akordohen sot tre prej volejbollistëve të spikatur të skuadrës ‘Butrinti’, Kostaq Stefani, Janaq Zhaka dhe Orest Lepuri janë një vlerësim për rezultatet e larta, shpirtin e garës dhe sakrificat, që respektohen dhe sot nga mbarë opinioni sportiv.

Ju falënderoj për rezultatet e shkëlqyera, për besimin dhe kënaqësinë që i dhatë gjithë popullit të Sarandës. Por, edhe për shpirtin e garës që keni pasur me ekipet më të mëdhaja të volejbollit në Shqipëri!

Ju uroj të gjithëve shëndet e mbarësi në familjet tuaja!”