9 Nëntor 2020 Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” ish-futbollistë “KF Tirana” me kontribute të shquara në Ekipin Kombëtar: Krenaria e futbollit shqiptar!
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne futbollistë të ekipit “KF Tirana” (17 Nëntori), të cilët falë talentit dhe profesionalizmit të tyre u dalluan jo vetëm në skuadrën kampione të kryeqytetit, por dhanë kontribute të paharrueshme edhe në Ekipin tonë Kombëtar.
Zotin Artur Lekbello: “Për kontributin dhe rezultatet e larta sportive të arritura në futboll me Klubin e Futbollit ‘Tirana’ dhe Ekipin Kombëtar’. Lojtar me vlera të spikatura në veprimtaritë sportive kombëtare dhe ndërkombëtare”;
Në fjalën përshëndetëse drejtuar futbollistëve të shquar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, trainerëve dhe gazetarëve sportivë të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Jam shumë i lumtur që vazhdojmë sot me nderimet e disa prej emblemave të KF Tiranës, në kuadrin e 100-vjetorit të kësaj skuadre, që me rezultatet e arritura përgjatë një shekulli, ka lartësuar jo vetëm emrin e kryeqytetit, por edhe të vendit tonë.
Rezultatet historike të “Tironës”, i ruajmë edhe sot si kujtime të bukura e emocionuese të konkurrencës sportive, frymëzuese për çdo gjeneratë.
Përfaqësimi dinjitoz dhe rezultatet e jashtëzakonshme, që keni arritur në ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare, si lojtarë të KF Tiranës, por edhe të Ekipeve Kombëtare, si përfaqësues të asaj gjenerate të artë, do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e sportdashëve tanë.
Futbolli i KF Tiranës së madhe ka nevojë të vlerësojë historinë e tij të lavdishme dhe unë besoj se ne të gjithë e kemi për detyrë fisnike dhe qytetare të vlerësojmë futbollistët, të cilët kanë qenë pjesë e atyre emocioneve të paharruara, që kanë gëzuar të gjitha familjet tona.
KF Tirana është skuadra që ka prodhuar aq shumë lojtarë cilësorë, të cilët kanë shkëlqyer me lojën e talentin e tyre edhe në Ekipet tona Kombëtare përballë skuadrave më të mëdha të Europës, duke befasuar specialistët profesionistë dhe lojtarët më të mirë të kohës, të skuadrave të njohura.
Nderojmë sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”:
♦ Futbollistin Osman Mema, anëtarin e dinastisë së familjes së futbollit Mema, familje, e cila ndër vite ka nxjerrë futbollistë cilësorë e njerëz mjaft të respektuar. Osman Mema ka qenë një lojtar brilant, një mbrojtës i shkëlqyer i dinjitetit njerëzor, i vlerave sportive, qytetare dhe demokratike;
♦ Mesfushorin e shkëlqyer Bedri Omuri me aftësitë e tij të spikatura kudo në fushën e blertë, një lojtar profesionist i klasit të lartë, që nga mbrojtja e deri golashënues befasues;
♦ Të palodhurin dhe “mbretin” e krahur të djathtë, shpirtin e skuadrës dhe të krosimeve preçize, sidomos drejt Mingës dhe Kolës, mjeshtrin e topit, Millan Baçi;
♦ Golashënuesin e spikatur, mësuesin dhe trajnerin e palodhur Edmond Gëzdari;
♦ Futbollistin e talentuar, të palodhur, të paepur, lojtarin korrekt dhe trainerin kampion Mirel Josa;
♦ Lojtarin e niveleve të larta, me një kontribut të çmuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, Artur Lekbello apo siç e kemi njohur të gjithë, Tushen;
♦ Mbrojtësin energjik, lojtarin e sukseshëm dhe kapitenin e jashtëzakonshëm skuadrës Krenar Alimehmeti.
Ju drejtohem juve, që sukseset e arritura në ato vite, t’i përcillni tek futbollistët e sotëm të FK Tiranës dhe tek fëmijët, të cilët e duan topin dhe fushën e blertë, anë e mbanë Shqipërisë, për të kultivuar tek ta pasionin dhe dëshirën për futbollin.
Suksesi i tyre nuk ishte rastësi. Ai erdhi si rezultat i punës së palodhur, duke mësuar e duke u stërvitur, me sakrifica të jashtëzakonshme, por mbi të gjitha, çdo gjë e keni bërë me dashurinë për ngjyrat e ekipit tuaj, për ngjyrat kuq e zi, e sidomos për sportdashësit.
Duke përfituar nga kjo ceremoni dëshiroj të theksoj se sporti është jo vetëm një aktivitet individual, që duhet ta ushtrojmë të gjithë, por ai është një aktivitet i madh shoqëror.
Ju falënderoj për kontributin tuaj, për përgjegjësinë dhe sukseset e arritura, për besimin dhe kënaqësinë që i keni dhënë të gjithë sportdashësve tanë, por natyrisht edhe për punën tuaj sot në mbështetje të sportit.
Përzemërsisht ju uroj të gjithëve sa më shumë suksese!”