Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” dy çiklistët e shquar shqiptarë Burhan Berisha dhe Agron Huqi

Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” dy çiklistët e shquar shqiptarë Burhan Berisha dhe Agron Huqi

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” dy çiklistë të shquar shqiptarë:

Zotin Burhan Berisha: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar dhe rezultatet e larta të arritura si çiklist kampion i KS ‘Dinamo’ dhe fitues i shumë garave të çiklizmit në Shqipëri. Me mirënjohje ndaj gjyqtarit profesionist të dalluar në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

si dhe zotin Agron Huqi: “Me mirënjohje për rezultatet e suksesshme në sportin e çiklizmit, të arritura në aktivitetet kombëtare, ku është dalluar si çiklist i nivelit të lartë me ekipin e KS ‘Partizani’, e më pas, duke spikatur edhe si gjyqtar në garat e çiklizmit për përkushtimin dhe korrektësinë e tij.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, në ceremoninë e veçantë të dekorimit, ku merrnin edhe pjesë personaliteteve të shumta të sportit, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam i lumtur të vlerësoj kontributin e dy figurave të shquara të çiklizmit tonë, një prej disiplinave më të vjetra në historinë e sportit.

Çiklizmi është quajtur me të drejtë një sport popullor, i cili gjatë dekadave të fundit ka mbledhur sportistë amatorë edhe profesionistë, duke u bërë ndër disiplinat më të ndjekura.

Vlerat e këtij sporti të guximshëm, por dhe të bukur, janë një mjet i rëndësishëm, për të forcuar e shëndetit, për të gjitha moshat, por edhe për të njohur sa më mirë vendin edhe natyrën.

Me kënaqësi, sot i akordoj Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, zotit Burhan Berisha, çiklistit të palodhur dhe legjendar të ‘Dinamo’ dhe Ekipit Kombëtar.

Zoti Berisha është fitues i shumë garave dhe rretheve çiklistike, duke u bërë një nga kampionët e shquar në historinë e këtij sporti.

Në vitin 1973 fiton vendin e parë në klasifikimin individual, duke vazhduar dhe vitet e tjerë me fitore të shumta.

Ai për rezultatet e larta, në vitin 1988 renditet në 10 sportistët më të mirë të vitit dhe në vitin 1999 shpallet ‘Nderi i Sportit të Çiklizmit’.

Zoti Berisha ka drejtuar për disa vite Federatën Shqiptare të Çiklizmit dhe për 27 vite vazhdon të kontribuojë si gjyqtar i garave të çiklizmit, pranë ‘Federatës Shqiptare të Çiklizmit’.

Zoti Agron Huqi është gjithashtu një çiklist shumë i njohur dhe i talentuar i Klubit Sportiv Partizani dhe i Ekipit Kombëtar.

Ai është çiklist i shumë i sukseseve që në karrierën e tij mban titujt kampionë dhe rekord kombëtar, fitues i ‘Kupës së Republikës’ dhe ‘Medaljes së Artë’ në spartakiadën kombëtare.

Ai është fitues i garës me kronometër në turneun çiklistik në vitin 1985, si dhe është dalluar gjithmonë në garat e rezistencës.

Për sukseset e tij është nderuar me tituj e medalje nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, klubi sportiv ‘Partizani’ dhe mban Titullin ‘Mjeshtër i Merituar i Sportit’.

Përfitoj nga rasti për të falënderuar familjet e këtyre dy personaliteteve, që i kanë ndjekur dhe i kanë inkurajuar gjithmonë me përkushtim e tyre dhe në sakrificat që kanë bërë së bashku.

Mjeshtrit që vlerësojmë janë të njohur nga i gjithë opinioni sportiv, pasi me aktivitetin dhe sukseset e tyre, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe na kanë bërë të ndjehemi krenarë.

Dua të falënderoj të gjithë përfaqësuesit e tjerë të disiplinës së çiklizmit, por edhe të gjithë dashamirësit nga fusha e sportit, dhe të vazhdojmë që përmes shembujve të tillë t’i nxisim të rinjtë që të merren më shumë me sport.

Sporti është një e mirë jo vetëm individuale, por është dhe një e mirë shoqërore dhe kombëtare në drejtim të cilësisë sportive të përfaqësimit të vendit, por njëkohësisht edhe në drejtim të shëndetit të rinisë sot!