Presidenti Meta vlerëson tenorin me famë botërore Plácido Domingo Embil me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti Meta vlerëson tenorin me famë botërore Plácido Domingo Embil me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi tenorin e famshëm botëror, Plácido Domingo Embil me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”Në nderim dhe mirënjohje ndaj tenorit të jashtëzakonshëm me famë ndërkombëtare, i cili ka shkëlqyer me intepretimet e tij virtuoze në skenat operistike të mbarë botës. Me përulje të thellë për shembullin frymëzues, fisnik dhe artistik, duke na nderuar me praninë dhe interpretimin e tij të paharrueshëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit dhe Ansamblit Popullor shqiptar.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar maestro Domingos, artistëve dhe personaliteteve të artit dhe muzikës të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh:

“Ceremonia e sotme është një event i veçantë, pasi i kushtohet një prej personaliteteve më të shquara ndërkombëtarisht, një prej ikonave të gjalla të artit dhe muzikës botërore, tenorit të njohur Plácido Domingo.

Platoni ka thënë: “Muzika i jep shpirt universit, i jep krahë mendjes, i jep fluturim imagjinatës dhe i jep jetë gjithçkaje.”

Maestro Domingo e ka përcjellë këtë atribut dhe mision të muzikës, jo vetëm në skenat më prestigjioze të botës, por edhe për miliona e miliona artdashës anë e mbanë globit.

Publiku është pjesë e jetës sime reale. Atmosfera e teatrit është oksigjeni im.’ – ka thënë maestro Domingo, dhe ky njehsim kaq i fortë midis jetës dhe muzikës është shijuar edhe nga artdashësit shqiptarë, duke admiruar performancat e tij sublime dhe duke u mahnitur me zërin e tij të jashtëzakonshëm.

Ky artist i përmasave të tilla ka shërbyer edhe si frymëzim për sopranot dhe tenorët shqiptarë të cilët kanë nderuar dhe e nderojnë vendin tonë me suksesin e tyre botëror, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, e shumë të tjerë, me të cilët maestro Plácido Domingo ka bashkëpunuar ngushtësisht.

I mahnitshmi Plácido Domingo edhe pas gjashtëdhjetë viteve karriere si tenor, me një repertor prej më shumë se 150 rolesh e mbi 4 mijë shfaqjesh, si një artist i shumanshëm me ndikim të madh në historinë e operës, një dirigjent i mbi 500 veprave dhe administrator operistik i shkëlqyer, vazhdon edhe sot të përçojë mrekullinë e zërit të tij tek artdashësit në mbarë botën.

Ishte një privilegj i veçantë ta kishim këtë ikonë të muzikën edhe në skenën shqiptare e të ndiqej nga afër prej artdashësve tanë.

Është privilegj i veçantë edhe për mua si Presidenti i Republikës që të vlerësoj sot një figurë kaq madhore dhe të rëndësishme të muzikës dhe operës botërore duke i akorduar atij Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut.’

Nuk mund të gjenim një Titull më të mirë vlerësimi, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, i cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën europiane të Shqipërisë.”