Presidenti Meta vlerëson Heronjtë legjendarë të “Kodrës së Kuqe” dhe figurat e shquara të Luftës Antifashiste Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhoxhi Martini, Muharrem Llanaj dhe Hatixhe Farka

Presidenti Meta vlerëson Heronjtë legjendarë të “Kodrës së Kuqe” dhe figurat e shquara të Luftës Antifashiste Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhoxhi Martini, Muharrem Llanaj dhe Hatixhe Farka

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën “Nderi i Kombit” Heronjtë legjendarë të Popullit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Vojo Kushi, Sadik Stavileci dhe Xhoxhi Martinin (pas vdekjes), të cilët ranë heroikisht në luftë me pushtuesit italianë gjatë betejës epike në “Kodrën e Kuqe” në Tiranë.

Dëshmori i Atdheut Vojo Kushi u dekorua: “Si legjenda e heroizmit dhe atdhedashurisë më të lartë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Burim i përjetshëm frymëzimi për të gjithë gjeneratat e reja në betejat për liri”.

Sadik Stavileci u vlerësua “Për rolin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, si një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe organizimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shembull frymëzimi për gjithë gjeneratat e reja.”

Ndërsa Xhoxhi Martini, “Si shembull i atdhedashurisë së lartë deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe organizimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Burim frymëzimi për gjithë gjeneratat e reja.”

Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi Muharrem Llanajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Për kontributin e shquar në mbrojtje të lirisë së atdheut. I dalluar për guximin, sakrificat dhe qëndresën heroike në betejën e ‘Kodrës së Kuqe’ dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”.

Ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Presidenti i Republikës dekoroi Hatixhe Farkën (pas vdekjes), “Si shembull i përkushtimit, sakrificës dhe atdhedashurisë së pakufishme në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Simbol i përjetshëm i heroizmit të nënës tiranase, e cila nuk u lëkund nga ideali për çlirim kombëtar megjithë torturat, burgosjet e familjes dhe flijimin e bijve të saj për lirinë e atdheut.”

Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” piktorin dhe artistin e shquar tiranas Sali Shijaku, me motivacionin: “Si një nga personalitetet e spikatura të artit tonë kombëtar, një ndër piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, duke sjellë në artet figurative pikturën e tij thellësisht kombëtare, koloritin e fuqishëm, simbolikën e veçantë, si dhe monumentalizmin në shumë vepra me temë historike”.

Në fjalën e Tij gjatë ceremonisë solemne të dekorimeve, duke iu drejtuar familjarëve të Dëshmorëve të Atdheut, anëtarëve të Komitetit të Veteranëve të LANÇ-i, miqve dhe artistëve të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Prej lufte veç ai largohet që është i lindur tradhëtor/
Kush është burrë nuk frigohet/
Por vdes, por vdes si një dëshmor!”

Cilëve më shumë se Heronjve të ‘Kodrës së Kuqe’ iu shkojnë këto fjalë, ky kushtrim, por edhe ky amanet që na kanë lënë të parët brez pas brezi për ruajtjen e lirisë së Atdheut.

Ndaj sot nderojmë një prej betejave më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, flakët e së cilës ndriçuan ëndrrën për liri të çdo familje të Tiranës por edhe të çdo familjeje shqiptare!

Kanë kaluar 78 vjet dhe këtë akt të lartë vetëmohues të Heronjve, shqiptarët e ruajnë të shenjtë në memorien e tyre si Epopeja e Lavdishme e Kodrës së Kuqe.

78 vjet më parë si sot, pikërisht më 7 Tetor 1942 në kryeqytet, në Kodrën e Kuqe, në shtëpinë e Ije Farkës Heronjtë e Popullit Vojo Kushi, Xhoxhi Martini e Sadik Stavileci shkruan me gjak një nga faqet më të ndritura të heroizmit, atdhedashurisë, vetëmohimit dhe trimërisë së popullit shqiptar në luftë kundër okupatorit fashist.

Sot bashkë me tre Heronjtë e dashur, trimin e Shkodrës Vojo Kushi, djalin e Tiranës Xhoxhi Martini dhe birin e Gjakovës, Sadik Stavileci po vlerësojmë edhe djaloshin e Vranishtit, luftëtarin e katërt të Kodrës së Kuqe, atdhetarin Muharrem Llanaj, i cili edhe pse kishte marrë plagë të shumta, dhe humbi ndjenjat, luftoi burrërisht krah të shokëve të tij.

Të dashur miq,

Nderimi për luftëtarët që sakrifikuan dhe flijuan jetën për lirinë e Shqipërisë është detyrimi ynë dhe i çdo gjenerate ndaj historisë, por dhe ndaj së ardhmes.

Vlerësimi i gjakut të derdhur prej tyre për lirinë e Shqipërisë është borxhi, që kemi të gjithë ne që gëzojmë këtë liri prej sakrificës së tyre sublime.

Ky nderim është edhe vlerësim e respekt ndaj vetë integritetit dhe dinjitetit tonë si shqiptarë!

Kur flasim për vetëmohimin, trimërinë e heroizmin partizan dhe luftëtarëve për liri, padyshim Heronjtë e Kodrës së Kuqe zënë nga vendet e nderit në Luftën e popullit tonë kundër bishës nazi-fashiste!

Ata u flijuan si Heronj, luftuan në krah të njëri-tjetrit dhe ranë në krah të njeri-tjetrit duke u shndërruar në Heronj Legjendarë dhe frymëzues të përjetshëm në betejat për liri.

Ata e shndërruan shtëpinë e thjeshtë të nënë Ije Farkës në një kështjellë të pamposhtur, ku shpalosën para gjithë botës virtytet më të arrira të shqiptarit si atdhedashuria, burrëria, besa, trimëria, sakrifica për liri dhe atdhedashuria deri në flijimin e jetës.

Të rrethuar, ata bënë një luftë të pabarabartë, kundër qindra fashistëve e xhandarëve të armatosur gjer në dhëmbë.

Për Vojon, Sadikun, Xhoxhin dhe Muharremin nuk kishte mbetur rrugë tjetër veç t’i qëndronin Himnit Kombëtar dhe të qëndronin si burrat deri në pikën e fundit të gjakut.

Ata u përqafuan dhe i dhanë njeri-tjetrit lamtumirën e fundit. Sadiku ndonëse i sëmurë me tubelkuroz dhe Xhoxhi Martini i plagosur më parë, luftuan si trima dhe ranë në luftë e sipër. Ndërsa Muharremi u plagos rëndë dhe humbi ndjenjat.

Vojua mbeti i vetëm kundër një hordhie fashistësh dhe tradhtarësh, i rrethuar nga autoblindat e tyre.

Armiqtë, duke parë se nuk po e mposhtnin dot heroin, i vunë zjarrin shtëpisë dhe e rrethuan me autoblinda. Vojua luftoi si vigan. Por më në fund, municionet iu mbaruan.

Në momentin më kritik të jetës së tij, pasi kishte humbur në betejë të tre shokët dhe i ishin mbaruar municionet, Vojo Kushi, si një Tarzan i vërtetë, as i shkoi ndërmend të dorëzohej e as të strukej, por si një shqiponjë e vërtetë kërcen mbi autoblindë, duke tmerruar me guximin dhe heroizmin e tij pushtuesit dhe tradhtarët dhe duke qëndruar përjetësisht triumfues dhe ngadhënjyes për të gjitha gjeneratat.

Këta Heronj legjendarë, të frymëzuar vetëm nga liria dhe atdhedashuria, kryen një akt heroik e vetëflijues që do mbetej në historinë e popullit shqiptar si simbol i qëndresës dhe i rezistencës ndaj pushtimit dhe tiranisë.

Emrin e Vojo Kushit e përjetësuan nënat shqiptare që lindnin djem, të cilat kur i ledhatonin në djep, u thonin: “M’u bëfsh trim si Vojua”.

Për mua si President i Republikës, është nder krejt i veçantë dhe emocionues padyshim, që në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës të organizoj sot përkujtimin e aktit të tyre heroik dhe t’i vlerësoj tre heronjtë me Titullin e lartë “Nderi i Kombit” dhe bashkëluftëtarin e tyre, padrejtësisht të harruar dhe të papërmendur deri tani, me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

Ashtu sikurse kam nderin dhe privilegjin të përkujtoj dhe vlerësoj qëndrimin stoik dhe sakrificat e pafundme të Nënës Heroinë Ije Farka.

Shtëpia e Ije Farkës që strehoi Vojo Kushin, Xhoxhi Martinin, Sadik Stavilecin e Muarrem Llanajn dhe shumë antifashistë të tjerë, ishte një nga bazat e rëndësishme të luftës në Tiranë, ku u strehuan shumë ilegalë.

Ije Farka, mbetet simbol i nënave tiranase që shtëpinë e tyre të thjeshta në rrugicat e Tiranës i kthyen në baza të luftës, madje kur u kërkua edhe në kështjella të qëndresës antifashiste.
Nënë Ija nuk u lëkund nga ideali dhe lufta për liri edhe pse e pagoi aq shtrenjtë, ajo familja dhe familja e saj, me fëmijët që ju vranë dhe u burgosën nga pushtuesit.

Madhështia e aktit të Vojo Kushit, Sadik Stavilecit, Xhoxhi Martinit, Muharrem Llanaj si dhe Nënë Ije Farkës u përcjell brezave një mesazh të madh dhe frymëzues atdhedashurie.

Të dashur miq,

Epopeja e Kodrës së Kuqe është pjesë e krenarisë dhe memories kombëtare! Ajo është përcjellë nga brezi në brez nëpërmjet këngëve, rrëfimeve, poemave, filmave dhe shumë veprave të artit.

Midis tyre do të veçoja tablonë e famshme “Vojo Kushi”, të piktorit tonë të madh, “Piktorit të Popullit” Sali Shijaku, i cili edhe si dëshmitar okular i kësaj beteje, si një fëmijë 9-vjeçar në atë kohë në Kodrën e Kuqe, na ka sjellë me një mjeshtëri të rrallë një nga tablotë më shquara që mishërojnë në art këtë epope të lavdishme dhe të paharruar të Kodrës së Kuqe.

Sali Shijaku mbetet një nga piktorët më të shquar shqiptarë të shekullit XX.

Me talentin e jashtëzakonshëm shndërroi në art me shumë aftësi krijuese ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për Atdheun, lirizmin dhe dramën e jetës, si dhe një larmi figurash njerëzore. Krijoi një galeri të pafund veprash e monumentesh artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar.

Veprat e njohura të tij si “Mic Sokoli”, “Nora e Kelmendi”, “Partizanët e Batalionit Hakmarrja” dhe “Vojo Kushi” e vendosin atë në piedestalin e artistëve tanë më të spikatur.

Galeria e veprave të artistit të madh Sali Shijaku është mjaft e njohur dhe e suksesshme, brenda dhe jashtë vendit, ashtu si dhe kontributi i tij për lartësimin e arteve figurative dhe kulturën shqiptare.

Mendoj se nuk kishte rast më të mirë se sot për të nderuar aktivitetin e tij të larmishëm krahas heronjve të Kodrës së Kuqe, të cilët janë edhe protagonistë të kësaj kryevepre epike!

Të dashur pjesëmarrës,

Epopeja e Kodrës së Kuqe ishte një legjendë e vërtetë trimërie dhe patriotizmi, ishte një flakë që ndriçoi në të gjithë Tiranën dhe vendin, dhe zgjoi ndër gjithë shqiptarët aspiratën për liri dhe shtoi urrejtjen ndaj armikut!

Nën këtë moto edhe unë sot do të doja që populli ynë dhe sidomos të rinjtë të mos dorëzohen nga vështirësitë e kohës, por të qëndrojë në lartësinë e detyrave të historisë dhe ta kërkojë prosperitetin dhe bukurinë e jetës në këto troje të cilat janë mbrojtur me gjakun e bijve tanë më të mirë!

I përjetshëm kujtimi i Heronjve të Kodrës së Kuqe!

Faleminderit