Presidenti Meta vlerëson futbollistin e shquar shkodran të ekipit “K.F Vllaznia” dhe të Kombëtares Kuqezi, z. Sabah Bizi me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Presidenti Meta vlerëson futbollistin e shquar shkodran të ekipit “K.F Vllaznia” dhe të Kombëtares Kuqezi, z. Sabah Bizi me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot futbollistin e shquar shkodran Sabah Bizi me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacioninPër talentin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e çmuar në arritjen e rezultateve të larta në futboll me Ekipin Kombëtar dhe ekipet “Vllaznia” e “Partizani”. Legjendë e fushës së blertë, organizator i përmasave evropiane në historinë e futbollit tonë, personalitet i dashur e i respektuar, si dhe burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj”.

Në ceremoninë solemne të dekorimit të zhvilluar para Bashkisë së Shkodrës në praninë e kyebashkiakes Voltana Ademi, Prefektes Majlinda Angoni, të përfaqësuesve të institucioneve, yjeve shkodranë të muzikës e skenës, Bujar Qamili, Osman Mula e Besnik Çinari, legjendës së basketbollit shqiptar, Agim Fagu, dhjetëra ish-futbollistëve, qindra qytetarëve dhe të familjarëve të Sabah Bizit, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Kjo është një ceremoni që e kemi pritur prej kohësh, sepse ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit shkodran, e kryetares së Bashkisë, por edhe këtyre figurave të jashtëzakonshme të artit e të kulturës si Osman Mula, shumë të tjerë, për t’i dhënë Sabah Bizit Titullin e lartë ‘Nder i Kombit’.

Sa herë që vij në këtë qytet është e pamundur të mos përulem me respekt para ‘Vllaznisë Shkodrane’, që ka qenë jo vetëm djepi i futbollit kombëtar, por dhe një sinfoni e harmonizuar me kulturën, humorin e traditën autentike të saj, si pjesë e pandarë e qytetarisë shkodrane.

Dashuria për futbollin në Shkodër nuk është nostalgji, por është dashuri për jetën, për të bukurën, për çdo gjë fisnike e të lartë, që ka krijuar shpirti i ndjeshëm i sportdashësit shkodran.

Sporti dhe kultura shkodrane ka gjallëri e ndjenjë, ka forcë të atillë tërheqëse, që të bën gjithmonë për vete.

Ajo është sa e vjetër, aq edhe e re.

Është e vjetër se ka kohë të gjatë që është krijuar, është e re, se është një organizëm i gjallë, që lëviz gjithnjë, zhvillohet dhe pasurohet vazhdimisht, është pjesë e shpirtit të kombit tonë, që aq bukur është thurrur dhe në vargjet e poezisë shkodrane:

Për humor na kan lakmi,

jena prap ma t’mirët n’Shqipni…

nji shkodran me ba humor,

në mos daç, do t’qeshesh me zor!

 

Edhe n’sport ma e mira e t’tanve,

asht vllaznia e shkodranve…!

si n’futboll, boks edhe not

kundershtart k’tu lodhen kot!

Pas këtyre vargjeve kaq kuptimplote, në praninë tuaj të nderuar, kam rastin të vlerësoj një nga figurat më të spikatura dhe një nga talentet më të papërsëritshme të futbollit tonë, dirigjentin virtuoz të lojës së bukur të fushës së blertë, Sabah Bizin.

Sabah Bizi me punën, talentin e përkushtimin e tij ka kontribuar në rezultatet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por dhe në rritjen e krenarisë dhe të imazhit tonë kombëtar.

Një nga talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, Sabah Bizi, titullar i ‘Vllaznisë’, i ‘Partizanit’ dhe i gjithë ekipeve tona kombëtare, është nga ata futbollistë, të cilët lindin shumë rrallë.

Në treshen e artë të ‘Vllaznisë’: Bizi-Rragami-Zhega ai ishte gjithçka në formacionin e saj, por gjithashtu edhe në Kombëtaret tona.

Pa ngurrim mund të themi se Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë futbollit tonë.

Me mesfushorin ai solli tiparet moderne të këtij roli duke qenë njeriu që udhëhiqte gjithë skuadrën.

E kujtojmë Bizin për atë teknikë racionale, të milimetruar, për atë kilometrazh lëvizjeje në gjithë fushën si askush tjetër, për atë pasim të pagabueshëm, organizator i përmasave evropiane, bllokues i njëkohshëm dhe golashënues i saktë përmes golave që nuk harrohen ende sot.

Bizi ishte futbollisti që do të fitonte duelet edhe me më të mëdhenjtë e kohës së tij si Bekenbauer, Prohaska, apo Dejne.

Bizi arriti të jetë kapiten i Kombëtares falë autoritetit të ‘tij të madh.

Ai u bë Kampion i Ballkanit me ‘Partizanin’ dhe një  protagonist i ndeshjeve të mëdha me Gjermaninë Perëndimore në barazimin e paharrueshëm të vitit 1967, kur Kombëtarja jonë falë atij barazimi skualifikoi ekipin e Bekenbauerit nga finalet e kampionatit evropian.

Në 1971-n me Torinon, me Advidabergun e Suedisë, me Austrinë, ndeshje brilante këto të futbollit shqiptar, në të cilat Bizi ishte motori i pandalshëm i skuadrës.

Ceremonia e sotme është një ngjarje e madhe, që meriton respekt të veçantë, për këtë këtë ikonë të ekipeve tona kombëtare, të ‘Vllaznisë’ dhe të ‘Partizanit’.

Shembulli dhe virtuoziteti i Sabah Bizit kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve shkodranë dhe shqiptarë dhe emri i tij është shkruar me gërma të arta në historinë e futbollit dhe sportit tonë.

Jemi krenar dhe të lumtur për talentin tuaj, për arritjet tuaja, për frymëzimin, për meritat dhe vlerat tuaja morale e sportive, për fisnikërinë dhe për qytetarinë tuaj.

Ju ia falët rininë tuaj sportit më të dashur të shqiptarëve: Futbollit. Jeta juaj sportive është një shembull frymëzues për historinë e sportit tonë dhe një mesazh i rëndësishëm për brezat e ardhshëm, edhe për nipin tuaj.

Përfitoj nga rasti, për të nderuar me respekt familjen e Sabah Bizit, miqtë e kolegët e tij, që e kanë dashur këtë sportist të madh të fushës së blertë, që dhe sot në këtë moshë, përcjell dashuri e mirësi pa fund.

Unë nuk e kam parë në fushën e blertë Sabah Bizin, sepse kam qenë i vogël. Mbaj mend pak Din Zhegën e madh, por kam pyetur shpesh për të. Dhe të gjithë ata, të cilët unë pyes për Sabah Bizin iu ndryshon pamja kur i pyet për emrin e tij.

Njëri prej tyre është edhe një tifoz i Tiranës, ish-Presidenti Bamir Topi, të cilin para disa kohësh e pyeta për disa lojtarë. E pyeta edhe për Sabah Bizin duke i thënë: ‘Po Sabah Bizi, si ka qenë si lojtar’?

‘Ah, jo!’ – më tha. ‘Sabah Bizi nuk ka qenë lojtar! Sabah Bizi ka qenë kombinat! Ka qenë i gjithanshëm. Ka qenë mbrojtës; ka qenë bllokues, ka qenë shkatërrues; ka qenë pasues; ka qenë organizues; ka qenë frymëzues; ka qenë golashënues!’

Ndaj ne të gjithë jemi krenarë për atë që Sabah Bizi ka bërë si dhe brezi i tij, për atë trashëgimi të jashtëzakonshme, që pati ndikimin e vet në brezat e mëpasshëm, që e çuan Shqipërinë deri në Kampionatin Europian pak vite më parë, dhe mund të themi me krenarinë më të madhe që: Po! Edhe ne kemi pasur Bekenbauerin tonë! Ai ishte Sabah Bizi, i cili e detyroi Bekenbauerin të vinte nga ana tjetër e fushës e t’i jepte dotën këtij burri të madh!

Ndaj dekorata ‘Nderi i Kombit’ që i akordohet sot legjendës së futbollit shqiptar dhe shkodran Sabah Bizi është një vlerësim për punën, sakrificat, rezultatet, thjeshtësinë, qytetarinë, që karakterizon këtë njeri të jashtëzakonshëm dhe këtë qytetar model të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.

Gjigandi Sabah Bizi, ju urojmë jetë të gjatë, shëndet e mbarësi si dhe sukses ‘Vllaznisë’ suaj të zemrës!