Presidenti Meta vlerëson doktorin dhe humanistin shqiptaro-amerikan, z.Sulejman Çelaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti Meta vlerëson doktorin dhe humanistin shqiptaro-amerikan, z.Sulejman Çelaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” doktorin dhe humanistin shqiptaro-amerikan, z. Sulejman Çelaj “Në vlerësim të punës humanitare, nismave, angazhimeve dhe kontributeve të tij mjekësore në vendlindje dhe kudo në trojet shqiptare në Ballkan. Me mirënjohje për lartësimin e vlerave qytetare, kombëtare, kulturore dhe shkencore, për edukimin e brezave të rinj shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe integrimin e tyre profesional dhe shkencor në shoqërinë amerikane”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne, Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, z. Edmond Panariti u shpreh:

“Sot jemi mbledhur për të vlerësuar Dr. Sulejman Çelaj, për arritjet dhe kontributin e tij si mjek i shquar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për humanizmin e treguar nga ana e tij, për bashkëkombësit e vet në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, e sidomos për bashkatdhetarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Profesor Sulejman Çelaj, si një patriot i vërtetë ishte ndër nismëtarët e parë të projektit ‘Thuaj Po Shqipërisë’, për të ofruar shërbime mjekësore falas në Tiranë për pacientët shqiptarë.

Gjithashtu, Dr. Çelaj, së bashku me disa kolegë të tij amerikanë, vazhdon të ofrojnë shërbime falas për shqiptarët në Nju-Jork, në veçanti për ata të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë sigurimet shëndetësore.

Profesor Çelaj, në detyrën e tij të mjekut dhe të drejtuesit mjekësor, këtë vit gjatë periudhës së pandemisë ka qenë në vijën e parë të frontit të luftës kundër pandemisë COVID-19, në mbrojtje dhe në shpëtim të jetëve njerëzore, në një nga qendrat më epidemike dhe të rrezikshme ne botë, të përhapjes së virusit vdekjeprurës në Nju-Jork.

Për punën dhe kujdesin në vijën e parë të luftës kundër pandemisë COVID-19, është falënderuar publikisht në ‘Time Square’ në Nju-Jorkut, nga pacientët e tij të shumtë, në mesin e të cilëve edhe shumë shqiptarë.

Dr. Çelaj ishte dhe është nga të paktat pika të referencës në Nju-Jork, për shqiptarët e Amerikës që kërkonin dhe kërkojnë ndihmë dhe asistence mjekësore në këto kohë të vështira.

Profesor Çelaj, dallohet për angazhimet e tij qytetare, atdhetare, kulturore, shkencore ndaj bashkë vendasve të tij, ndaj shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë së Veriut.

Si drejtor i Kardiologjisë dhe Kardiologjisë invazive në Spitalin ‘Saint Barnabas’ në Nju-Jork, përveç ndihmave që ka dhënë për shqiptarët që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësorë, një ndihmë të jashtëzakonshme ka dhënë për studentët dhe mjekët shqiptar për t’u integruar në komunitetin mjekësor amerikan.

Të shumtë janë mjekët shqiptarë në Nju-Jork, që falë ndihmës së pakursyer të Dr. Çelajt, janë integruar në institucionet shëndetësore amerikane dhe po bëjnë një emër të mirë si profesionistë, por edhe si shqiptarë të mirë.

Si një urë lidhëse e shkëlqyer mes shqiptarëve dhe vendit pritës, Amerikës, profesor Çelaj vazhdon të jetë i angazhuar në mjekësi në Shqipëri, duke ofruar shërbime mjekësore falas për pacientët shqiptarë, ku ka kryer dhe vazhdon të kryejë edhe shumë procedura invazive kardiologjike.

Gjatë gjithë kohës së pandemisë por edhe në ditët e sotme, profesor Çelaj ka gjetur kohën që të jetë prezent në media në Shqipëri dhe në Kosovë, që me informacionet e fundit për luftën kundër COVID-19, përvojën dhe këshillat e tij t’u qëndrojë sa më afër bashkëkombësve të vet.

Për të gjitha këto kontribute të dhëna për shqiptarët në SHBA dhe në trojet e tyre në Ballkan, si dhe për emrin e mirë që ka bërë si shqiptaro-amerikan, me propozim të Federatës Panshqiptare ‘Vatra’ si dhe të ‘Komunitetit Mjekësor Shqiptaro-Amerikan’, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta ka vendosur ta vlerësoj Dr.Sulejman Çelajn me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Shembuj të tillë si i Dr. Çelajt, janë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë të rinjtë dhe profesionistët tanë, që jetojnë nëpër botë, që sado të angazhuar të jenë në punët dhe profesionet e tyre, çdoherë mund të gjendet kohë dhe hapësirë për të ndihmuar bashkatdhetarët dhe vendin e të parëve të tyre.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë dhe jetojnë, në trojet e tyre, por edhe kudo në botë! Ju faleminderit!”