Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” organizatën e njohur bamirëse “Caritas Italiana”

Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” organizatën e njohur bamirëse “Caritas Italiana”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” organizatën e njohur bamirëse “Caritas Italiana”: “Për kontributin e shquar human në ripërtëritjen e jetës së shoqërisë shqiptare pas rënies së komunizmit, duke investuar dashuri dhe përkujdesje për integrimin e emigrantëve shqiptarë në shtetin italian. Me mirënjohje për përkushtimin ndaj ngritjes së institucioneve të bamirësisë në mbështetje të shtresave më në nevojë në Shqipëri, duke forcuar në këtë mënyrë solidaritetin dhe miqësinë mes dy popujve tanë.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:

“Një jetë që jetohet pa ndihmuar të tjerët, nuk është jetë” ka thënë Shenjtorja e madhe shqiptare dhe mbarë njerëzimit Nënë Tereza.

Sot, kam nderin dhe privilegjin t’i akordoj dekoratën e lartë, pikërisht me këtë emër,  atë  të shenjtores së mbarë njerëzimit Nënë Tereza, Caritasit Italian.

Gjatë tre dekadave të fundit, Caritas Italiana ka dhënë një kontribut të shquar human, në ripërtëritjen e jetës shoqërore shqiptare, duke investuar dashuri dhe përkujdesje për integrimin e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe duke forcuar kështu, edhe më shumë, solidaritetin dhe miqësinë mes popullit shqiptar dhe popullit mik italian.

Janë me mijëra veprat dhe objektet që Caritas ka ndërtuar në shërbim të komunitetit, si: shkolla, kopshte, qendra komunitare, ambulanca, klinika të shëndetit mendor, shtëpi për strehimin e personave të rrezikuar nga trafikimi, qendra për të moshuarit dhe të braktisurit, objekte sportive dhe argëtimi për rininë, qendrat e pritjes, e shumë të tjera, përfshirë dhe tre shtëpitë e fundit, në ndihmë të komunitetit të Kurbinit.

Falë bashkëpunimit midis Caritas Shqipëri dhe Caritas Italiana, me mijëra pacientë nga vendi ynë, me sëmundje të rënda, kryesisht fëmijë nga shtresat më  të varfra të shoqërisë sonë, janë kuruar falas në institucionet shëndetësore italiane, falë përkujdesjes suaj.

Sikurse janë sjellë vazhdimisht ekipe mjekësh, bashkë me pajisjet e nevojshme, për të realizuar ndërhyrje kirurgjikale, operacione të vështira, apo për të ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të stafit mjekësor shqiptar.

Prej 30 vitesh, Caritas ka qenë e përkushtuar maksimalisht në përgjigje të nevojave të shumta të shtresave në nevojë, të varfërve, të papunëve, duke luftuar përjashtimin social, dhe duke qenë një ndihmë e madhe, sidomos gjatë emergjencave më të vështira kombëtare, siç ishte rasti i krizës së Kosovës, në vitin 1999,  i tërmetit të 26 nëntorit 2019, por dhe shumë raste të tjera të fatkeqësive dhe përmbytjeve.

Solidariteti dhe Drejtësia Sociale ka qenë e mbetet misioni fisnik i kësaj organizate bamirëse, si edhe pika e fortë e bashkëpunimit dhe partneritetit tridhjetë vjeçar, midis Caritas Italiana me Caritas Shqipëri.

U jemi përherë mirënjohës të gjithë Caritasëve, Dioqezave, Famullive dhe bashkësive fetare italiane, të cilat ishin të parat që mirëpritën emigrantët shqiptarë në Itali në fillim të viteve 90-të.

Ato ofruan një mikpritje humane dhe vëllazërore, por shërbyen edhe si aktorë dhe faktorë të rëndësishëm, për të nxitur integrimin e shqiptarëve në shoqërinë italiane.

Falë këtij përkushtimi dhe humanizmi, gjatë këtyre 30 viteve, me mijëra shqiptarë janë integruar në Italinë mike, e jo vetëm aq, por ata kanë shkëlqyer në fusha dhe profesione të ndryshme, e kanë shërbyer si urë lidhëse, që bashkon edhe më shumë dy vendet tona, të cilat gëzojnë një miqësi të pandashme shumë shekullore.

Misioni për arritjen e bashkëjetesës, respektit për integritetin njerëzor, tolerancës, vullnetarizmit, barazisë dhe drejtësisë sociale e bëjnë Caritas, një vlerë dhe kontributor të çmuar, po dhe të pazëvendësueshëm, në rrugëtimin tonë drejt shoqërisë së përbashkët evropiane.

“Fryti i dashurisë është shërbimi dhe kjo është dhembshuria në veprim,”  përsëri na ka lënë si mësim,  shenjtorja jonë Nënë  Tereza.

Këtë mësim të Nënë Terezës e kanë vënë plotësisht në zbatim Caritas Italiana, të gjithë drejtuesit, stafi dhe vullnetarët, që kanë qenë shembull, i një dashurie të vënë në shërbim dhe i një dhembshurie të vënë në veprim.

Ata e kanë realizuar, duke përçuar dhe promovuar vlerën dhe dinjitetin e jetës njerëzore, vlerat shpirtërore dhe humanitare; duke i treguar shoqërisë, se çdo njeri ka të drejtë të jetë i përfshirë në vendime, që kanë ndikim në jetën e tyre dhe se respekti, për të drejtat e njeriut, garanton një zhvillim të qëndrueshëm për vendin dhe na bën një shoqëri më të denjë njerëzore.

Dhe bashkohem plotësisht me shqetësimin tuaj, për të shtuar kujdesin për të rinjtë, për fëmijët, për mirë edukimin e tyre dhe për të krijuar kushte sa më të denja, për tu rritur të qetë, të sigurt dhe plot frymëzim, në vendin e tyre.

Nuk harroj kurrë, porosinë që më dha Papa Françesku, përpara dy vitesh kur më priti në një audiencë të posaçme dhe për të cilën, ai kishte me të drejtë shumë shqetësim.

“Kur erdha në Shqipëri pashë shumë të rinj, ju lutem mbajini, që Shqipëria të mos përjetojë, dimrin demografik të Evropës.”

Për fat të keq, nuk kemi bërë më të mirën, të gjithë së bashku, si shoqëri dhe të gjithë aktorët për këtë qëllim.

Dhe shqetësimi juaj është shumë i drejtë, që është i raportuar dhe nga organizatat e mbrojtjes e të drejtave të fëmijëve dhe të miturve.

Është një numër i jashtëzakonshëm i tyre, që largohen nga vendi të pashoqëruar, për shkak të pamundësive, për të jetuar këtu dhe për tu plotësuar kushtet nga ana e prindërve të tyre, si një mënyrë shprese dhe shpëtimi.

Dhe për fat të keq, bien pre e rrjeteve kriminale, në vendet më të zhvilluara, duke shkatërruar të ardhmen e tyre, por dhe shpresat e shumë familjeve shqiptare.

Unë ju falënderoj shumë ju, si udhëheqës të besimit katolik në Shqipëri, por dhe udhëheqësit e besimeve të tjera, që e keni adresuar në mënyrë të vazhdueshme këtë shqetësim.

Do të na duhet të gjithëve, t’i shumëfishojmë përpjekjet, në mënyrë që ti japim fund, këtyre fenomeneve kaq gërryese, për të ardhmen e vendit tonë.

Dua ta mbyll edhe unë me besimin e Papa Françeskut se, shqiponjat do të kthehen në folenë e tyre!