Presidenti Meta vlerëson atdhetarin humanist, z. Skënder Përpepaj me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”

Presidenti Meta vlerëson atdhetarin humanist, z. Skënder Përpepaj me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi sot nëpërmjet një ceremonie solemne atdhetarin humanist, zotin Skënder Përpepaj me Dekoratën “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Në vlerësim të punës për ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave atdhetare në diasporë; ndihmën e pakursyer për njerëzit dhe vendlindjen e tij, Nikaj-Merturin e Tropojën. Për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta, duke vënë në dukje kontributet dhe meritat e zotit Përpepaj jo vetëm si sipërmarrës i suksesshëm, por edhe veprimtarinë e tij atdhetare dhe bamirëse, u shpreh:

“Kënaqësi të mblidhemi sot, për të vlerësuar një personalitet të veçantë, me një zemër të madhe, një humanist të palodhur, i cili ka një atdhedashuri të jashtëzakonshme dhe që është aq i lidhur me vendlindjen e tij, duke bërë çdo gjë për të rikthyer jetën dhe për të ruajtur traditat e Curraj të Epërm dhe të Nikaj-Mërturit, z. Skënder Përpepaj.

Ai ka qenë dhe mbetet një shembull i jashtëzakonshëm për të mos humbur kurrë dashurinë për Atdheun, për vendlindjen e tij Tropojën, dhe për të mbështetur në një mënyrë tepër bujare dhe konkrete Shqipërinë e Kosovën.

Dy vite më herët, më 14 tetor 2018, pata fatin të merrja pjesë në përurimin e një rruge të re 12 km, nga Vrana në Curraj të Epërm, ku për herë të parë në këto tre dekada shkonte makina në këtë fshat të mrekullueshëm të Nikaj-Mërturit, në këtë mrekulli të Alpeve Shqiptare, që e harruam ne, dhe që na e ri zbuluan studentët çek.

Aty e pashë nga afër punën e madhe të Skënder Përpepajt, si nismëtari dhe si një ndër kontribuesit kryesorë të hapjes së kësaj rruge, nëpërmjet një Bordi Drejtues të malësorëve të bashkuar me vullnet dhe financime nga Curraj i Epërm, Nikaj-Mërtur, Tropojë, Shqipëria e Kosovë, deri në Mbretërinë e Bashkuar dhe Amerikë.

Skënderi e la familjen e bizneset e tij në Londër dhe erdhi për rreth tre muaj që të prijë jo vetëm me fonde, por dhe me shembullin konkret, për ndërtimin e rrugës së re drejt fshatit të tij të lindjes.

Gjithashtu pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga reshjet e dimrit të viti të kaluar, në pranverën e sivjetme, ndonëse në kushte të pandemisë dhe largësisë gjeografike, ai kontribuoi përsëri me fonde dhe siguroi mjetet teknike për ta rikthyer këtë rrugë në normalitetin e duhur.

E veçanta është se kjo rrugë e re, u hap drejt një fshati të mrekullueshëm, por që ishte braktisur. Ndërkohë që ka qenë i banuar që në kohët ilire, sipas gjetjeve arkeologjike.

Kjo zonë njihet si një ndër viset kryesore alpine të Eposit të Kreshnikëve, ku françeskanët e mëdhenj, martiri e shenjtori i krishterimit Bernardin Palaj e bashkëpunëtori i tij, Donat Kurti, mblodhën një pjesë të madhe të këngëve për “Visaret e Kombit”.

Në fillim të shekullit të kaluar, albanologu i njohur Baron Nopçe, pasi e vizitoi dy herë, i propozoi Parlamentit të Austro-Hungarisë për ta shpallur “Monument Kulture” fshatin Curraj të Epërm, këtë mrekulli të natyrës.

Ne duhet t’i popullojmë fshatrat tona të braktisur, t’i kthejmë në fshatra të jetuar, t’i zhvillojmë për veten tonë, për kohën dhe brezat që do të vijnë.

Një shembull i tillë i jashtëzakonshëm është edhe ai Skënder Përpepaj dhe kolegëve të tij, të cilët kontribuan jo vetëm për të hapur këtë rrugë, por i cili ka rindërtuar kullën e të parëve të tij, pikërisht në respekt të traditave dhe gjithçka të së kaluarës.

Përshëndes të gjithë banorët e Currajt të Epërm, të cilët kanë vendosur t’i ndërtojnë shtëpitë dhe kullat e tyre ashtu siç kanë qenë, dhe mbi të gjitha duke ruajtur karakteristikat dhe peizazhin e mrekullueshëm të asaj zone.

Tani në Curraj të Epërm, pas ndërtimit të rrugës, ka marrë e po merr gjithnjë e më shumë zhvillim turizmi dimëror e veror, por edhe turizmi historik, kulturor, shëndetësor dhe sportiv, kjo falë edhe punës të shkëlqyer të humanistit Skënder Përpepaj e përpjekjeve të tij lobuese për të shpallur Currajn e Epërm, fshat turistik.

Janë të shumta dhe të vazhdueshme, sponsorizimet dhe ndihmat e tij të drejtpërdrejta, për familje dhe për njerëz në nevojë, për aktivitete sociale e kulturore, si në krahinën e Nikaj-Mërturit e Tropojës, ashtu dhe në Tiranë, Gjakovë dhe Shkodër.

Mbështetja për rastin e përmbytjeve në Shkodër e në Lezhë, për sponsorizim tё bursave shkollore brenda e jashtë Shqipërisë, për fëmijët e familjeve me mundësi tё kufizuara ekonomike, ndihma pёr të sëmurët në Nikaj-Mërtur, dhe për spitale e qendra shëndetësore në Tropojë e në Tiranë, si dhe pёr dërgimin e rasteve me sëmundje tё renda, pёr shërim jashtë Shqipërisë.

Njëkohësisht ai ka dhënë ndihma për përballimin e situatave të krijuara nga bora dhe ngricat e gjata në Nikaj-Mërtur e Tropojë, që nuk ka munguar asnjëherë.

Z. Përpepaj është një ndër organizatorët e sponsorët kryesorë të takimeve e veprimtarive të ndryshme kulturore-artistike, diplomatike, mediatike dhe sportive të Diasporës Sonë me banim në Mbretërinë e Bashkuar, me fokus ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditave atdhetare në Shqipëri e Kosovë.

Shqipëria dhe kombi ynë, ka nevojë për shembuj të tillë të shkëlqyer të atdhedashurisë, si ky i Skënder Përpepajt;
– që Diaspora të mbetet e lidhur me Atdheun e vet,
– që të japin kontribute për zhvillimin e Shqipërisë dhe të trojeve tona,
– për ripopullim të fshatrave tona të braktisura, të njerëzve në nevojë; për shëndetësinë, kulturën e artin.
– që të gjithë, siç thotë nobelistja jonë Shën Nënë Tereza: “Të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Duke vlerësuar gjithë këtë kontribut të çmuar të zotit Skënder Përpepaj, kam privilegjin ta dekoroj me dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, sepse ai ka bërë gjëra të mëdha dhe me dashuri të madhe.