25 Dhjetor 2018 Presidenti Meta u uron Festën e Krishtlindjeve besimtarëve të krishterë shqiptarë: Më shumë urtësi për të çelur negociatat me BE
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos dhe nga klerikët të lartë të Bashkësisë Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Presidenti Meta, i cili shoqërohej në këtë vizitë edhe nga tre fëmijët e tij, u përcolli urimet më të mira besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjeve:
“Gëzuar të gjithëve në këtë ditë të shënuar të lindjes së Krishtit! Gëzuar të gjithë besimtarëve të krishterë, por njëkohësisht edhe të gjithë shqiptarëve! Le të sjellë kjo ditë më shumë paqe, gëzime dhe lumturi për të gjithë.
Sot në këtë ditë le të mendojmë më shumë për të gjithë ata që janë në vështirësi. Të mos i lëmë të vetëm dhe t’u japim dorën për një rrugë të gjatë të përbashkët në mënyrë që shoqëria jonë të jetë gjithnjë e më e plotë, të jetë gjithmonë edhe më shpresëdhënëse, sidomos për të rinjtë dhe për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që meritojnë një të ardhme si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre”, – tha Presidenti Meta, duke shprehur edhe një urim për vitin e ardhshëm, ndërsa vlerësoi edhe punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitete fetare për shoqërinë shqiptare.
Gjithashtu, Presidenti Meta vizitoi Bashkësinë Fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për t’u uruar personalisht festën e shenjtë të Krishtlindjeve Kryetarit të VUSH-it, Pastor Ylli H. Doçi si dhe drejtuesve e besimtarëve ungjillorë shqiptarë.
]]>