5 Shtator 2019 Presidenti Meta: Të luftojmë varfërinë për të forcuar paqen dhe begatinë në Shqipëri
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë si dhe në përvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij, në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, mori pjesë në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”.
“Sot është një ditë mjaft e veçantë. Jo vetëm Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, por edhe Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, të lidhura fort me njëra-tjetrën në mesazhin njerëzor e të rëndësishëm që përcjellin, se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm, por duhet të vendoset në veprim dhe në shërbim, sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për të përballuar varfërinë, vuajtjet dhe vështirësitë e përditshme.
Sikurse ka qenë edhe motivacioni në dhënien e Çmimit Nobel për Nënë Terezën, nuk duhet të harrojmë se pikërisht varfëria dhe vuajtjet janë shpesh edhe një kërcënim për paqen. Dhe vetëm përmes një angazhimi për t’i luftuar këto plagë sociale, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, ne jo vetëm dhurojmë dashuri, por njëkohësisht forcojmë paqen dhe begatinë e komuniteteve dhe të familjeve tona.