17 Dhjetor 2019 Presidenti Meta takon Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë: Situata tragjike pas tërmetit, moment reflektimi, ringritje dhe pajtimi, për një shoqëri në paqe, me shpresë dhe solidaritet
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, për të diskutuar mbi situatën e pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pasojat jo vetëm materiale, por dhe shpirtërore të qytetarëve në zonat e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Situata tragjike dhe kjo krizë e rëndë humanitare për të gjithë shoqërinë tonë duhet të shërbejë si një moment jo vetëm reflektimi por edhe pajtimi për të qëndruar së bashku në ndërtimin e një të ardhme me paqe, shpresë e dashuri, si një fillim i ri që vendi të ringrihet, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht dhe psikologjikisht”, – ishte mesazhi i përbashkët i Kryetarëve të Bashkësive fetare në takimin me Presidentin e Republikës.
Kreu i Shtetit kërkoi që të verifikohen dhe të evidentohen të gjitha objektet e kultit të dëmtuara nga tërmeti, në mënyrë që në një kohë sa më të shpejtë të mundësohet rikthimi i tyre në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë.