17 Qershor 2022 Presidenti Meta takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus
Baku, Azerbajxhan
Në kuadër të punimeve të Forumit IX Global të Bakusë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, të cilit i uroi shumë suksese për rizgjedhjen për një mandat tjetër 5-vjeçar në këtë detyrë shumë të rëndësishme.
Presidenti Meta e informoi Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus për efektet e rënda të COVID-19 në Shqipëri, si dhe për hapat që po ndiqen për tejkalimin e pasojave dhe rikthimin në normalitet.
Presidenti Meta kërkoi një vëmendje të shtuar dhe mbështetje më të madhe nga OBSH për sistemin tonë shëndetësor, me synim mbrojtjen efikase të jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë.
Presidenti Meta theksoi se përparësia e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë edhe forcimi i OBSH si autoriteti udhëheqës dhe drejtues për shëndetin global, duke qenë në qendër të arkitekturës botërore të shëndetit.