22 Janar 2020 Presidenti Meta pritet nga Presidenti i Izraelit, Ruven Rivlin
Jeruzalem, Izrael
Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Izraelit, Sh.T.Z. Reuven Rivlin.
“Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve”, – vuri në dukje Kreu i Shtetit shqiptar.
Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.
Gjithashtu, Presidenti Meta vuri në dukje faktin se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.
“Ne do të jemi bashkë, edhe në përpjekjet për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.
Presidenti Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.
Kreu i Shtetit e falënderoi homologun izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, vlerësoi operacionet e kërkim-shpëtimit izraelite që erdhën menjëherë pas tërmetit, si edhe punën e grupeve të specializuara për vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara. “Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Meta e ftoi Presidentin Rivlin për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.
“Do të jetë kënaqësia ime”, shtoi ai – “të jem Presidenti i parë i Izraelit që viziton vendin tuaj aq mikpritës për ne”.