19 Shkurt 2019 Presidenti Meta pritet nga Presidenti federal gjerman, Frank-Walter Steinmeier
Berlin, Gjermani
Sot në Berlin, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.T.Z. Frank-Walter Steinmeier.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.
Duke u ndalur te zhvillimet më të fundit në rajon, të dy Presidentët ndanë të njëjtin vlerësim se arritja e Marrëveshjes së Prespës është një shembull i suksesshëm që inkurajon edhe Kosovën edhe Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe integrimit europian.
Në fund të takimit, Presidenti Meta e ftoi Presidentin Steinmeier për një vizitë zyrtare në Shqipëri, që u mirëprit me kënaqësi.