Presidenti Meta pritet në takim nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Talat Xhaferi

Presidenti Meta pritet në takim nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Talat Xhaferi

Shkup
Maqedoni e Veriut

Gjatë vizitës së Tij në shtetin fqinj, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit sot në një takim shumë të ngrohtë nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Talat Xhaferi.

Presidenti Meta i shprehu Kryeparlamentarit Xhaferi vlerësimin për ushtrimin me sukses dhe përgjegjshmëri të këtij funksioni të lartë dhe shumë të rëndësishëm, si dhe për rolin e tij në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm, në të gjitha fushat, të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve tona, veçanërisht të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke theksuar nevojën e ngritjes sa më parë, edhe nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, të Grupit Parlamentar të Miqësisë, që do t’i jepte impulse të reja ndërveprimit parlamentar.

Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se demokracia parlamentare mund të luajë rol të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit midis vendeve tona në fushën ekonomike, kulturore dhe arsimore.

Presidenti Meta theksoi se çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën, do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë.

Duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, Presidenti Meta inkurajoi domosdoshmërinë e zbatimit të plotë dhe jetësimit integral të saj, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian.

“Respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor, ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të tyre, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut”, – u shpreh Presidenti Meta.