Presidenti Meta pritet në takim nga Kryeministri i Hungarisë, Sh.T.Z. Viktor Orbán: Mirënjohje për mbështetjen domethënëse dhe pa rezerva për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE

Presidenti Meta pritet në takim nga Kryeministri i Hungarisë, Sh.T.Z. Viktor Orbán: Mirënjohje për mbështetjen domethënëse dhe pa rezerva për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE

Budapest, Hungari

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës së Tij zyrtare në Hungari, zhvilloi një takim të veçantë dhe të frytshëm me Kryeministrin e Hungarisë, Sh.T.Z. Viktor Orbán.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Orbán për mbështetjen domethënëse dhe pa rezerva, që i ka dhënë Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Presidenti i Republikës, pasi vlerësoi angazhimin e Qeverisë së Kryeministrit Orbán për të nxitur dhe thelluar më tej marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve, vuri në pah gatishmërinë dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i shndërruar ato në të njëjtin nivel të shkëlqyer, siç janë marrëdhëniet  politike mes dy vendeve.

Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi evidentoi se pas hapjes së Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë, bashkëpunimi ekonomik dhe fluksi turistik është rritur, theksoi se është e domosdoshme edhe vazhdimësia e fluturimeve nëpërmjet linjës ajrore direkte mes dy kryeqyteteve.

Presidenti Meta dhe Kryeministri Orbán vlerësuan gjithashtu se vitin e ardhshëm të dyja vendet do të festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate edhe më domethënëse e të prekshme.

Kryeministri Orbán, duke shprehur gatishmërinë për nxitjen dhe rritjen e investimeve hungareze në të gjitha fushat ku Shqipëria ka interes, e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Qeverisë së Tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, me qëllim forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike dhe tradicionale midis dy popujve.