23 Janar 2020 Presidenti Meta pritet me nderime të veçanta nga Kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yuli Edeilstein
Jeruzalem, Izrael
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit sot me nderime të veçanta në një takim të përzemërt nga Kryetari i Parlamentit të Izraelit (Knesset), Sh.T.Z. Yuli Edelstein.
“Mesazhi im është i qartë teksa bota përkujton 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit – Antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona!
Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi që shpëtoi mijëra jetë hebrenjsh gjatë periudhës më të errët historike të tyre në shekullin e 20-të,” – tha Kreu i Shtetit shqiptar.
“Ne jemi edhe më të bashkuar në përpjekjen tonë për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar,” – u shpreh Presidenti Meta.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.
“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, dhe mjeteve të reja digjitale për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike”, tha Presidenti Meta.
“Ju jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit në ato momente të vështira, që i konsolidoi më shumë marrëdhëniet historike miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë” – vuri në dukje Presidenti Meta.