Presidenti Meta pret në takim Sekretaren e Përgjithshme të “Europa Nostra”, znj. Sneška Quaedvlieg – Mihailović

Presidenti Meta pret në takim Sekretaren e Përgjithshme të “Europa Nostra”, znj. Sneška Quaedvlieg – Mihailović

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim, me kërkesën e saj, Sekretaren e Përgjithshme të organizatës “Europa Nostra”, znj. Sneška Quaedvlieg – Mihailović.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen dhe falenderimet për angazhimin dhe vëmendjen, që “Europa Nostra” ka treguar ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, në veçanti për angazhimin direkt, objektiv dhe konkret në vlerësimin e vlerave dhe mbrojtjen e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe europiane, të shembura brutalisht.

Kreu i Shtetit dhe Sekretarja e Përgjithshme e “Europa Nostra”, ndanë të njëjtin qëndrim se Shqipëria, ashtu siç ka nevojë për mbështetjen dhe aspiron anëtarësimin sa më parë në Bashkimin Europian, do duhet të tregojë përmes veprimeve konkrete dhe aktive respektimin e vlerave dhe parimeve themelore të një shoqërie demokratike, jo vetëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, por në çdo fushë.

Presidenti Meta kërkoi vijimin e bashkëpunimit me “Europa Nostra” në funksion të misionit të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, si një nga vlerat thelbësore të BE.