Presidenti Meta pret në takim Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Michael Linhart

Presidenti Meta pret në takim Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Michael Linhart

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të ngrohtë Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Michael Linhart.

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, marrëdhëniet dhe miqësinë e fortë tradicionale mes dy popujve, si dhe shprehu vullnetin e Tij për nxitjen e tyre në fushën ekonomike, tregtare, në turizëm, arsim e kulturë, si dhe rritjen e investimeve austriake në Shqipëri.

Dimensioni i bashkëpunimit rajonal dhe shumëpalësh mes dy vendeve fiton një rëndësi të posaçme, me Shqipërinë si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për periudhën 2022-2023.

Presidenti Meta falënderoi Ministrin Linhart për mbështetjen e sinqertë dhe shumë të rëndësishme, që Austria vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, posaçërisht në hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave me Kosovën.