Presidenti Meta përuron bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në parkun qendror Városliget të Budapestit: Nuk ka figurë historike, e cila simbolizon dhe mishëron më shumë rrënjët e miqësisë dhe të aleancës midis dy popujve tanë, se sa Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Presidenti Meta përuron bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në parkun qendror Városliget të Budapestit: Nuk ka figurë historike, e cila simbolizon dhe mishëron më shumë rrënjët e miqësisë dhe të aleancës midis dy popujve tanë, se sa Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Budapest, Hungari

Me ftesë të Kreut të Shtetit të Hungarisë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar mori pjesë dhe përshëndeti ceremoninë e përurimit të bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që u vendos në parkun Városliget të kryeqytetit hungarez, në prani të Presidentit të Republikës së Hungarisë, Sh.T.Z. János Áder, të kryebashkiakut të Budapestit Gergely Karácsony si dhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Presidenti Meta dhe Presidenti i Hungarisë Áder, pas prerjes së shiritit përurures dhe zbulimit të veprës së skulptorit shqiptar Agim Rada, si dhe fjalimeve përshëndetëse, vendosën kurora në shenjë nderimi pranë bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Duke përshëndetur autoritetet e pranishme në përurimin e bustit të Heroit tonë Kombëtar, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: “I nderuar Shkëlqesia Juaj, President Áder,
I nderuar Kryetar i Bashkisë së Budapestit Karácsony,
Të nderuar autoritete të pranishëm,
Të dashur miq!

E prita me kënaqësi dhe emocion të veçantë, ftesën e Shkëlqesisë së Tij zotit President Áder, për të qenë i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest.

Nuk ka figurë historike, e cila simbolizon dhe mishëron më shumë rrënjët e miqësisë dhe të aleancës midis dy popujve tanë, se sa Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Lidhjet dhe aleanca e heroit tonë kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur politik të Hungarisë, por dhe të mbarë Evropës Qendrore, Janosh Huniadi, janë legjendare.

Lidhjet dhe bashkëpunimi njëzetvjeçar midis familjeve fisnike të Kastriotëve dhe prijësit të tyre Skënderbe me familjen fisnike të Huniadëve dhe prijësit të tyre Janosh, janë dëshmia e rrënjëve të thella dhe solide të miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij hungarez.

Kjo miqësi dhe aleancë u ngjiz, farkëtua dhe u sprovua që në fillimet e vitit 1440, kur dy prijësit tanë morën pjesë në një operacion të përbashkët ushtarak në Transilvani dhe që më pas u kthye në një aleancë të vërtetë dhe të fortë ushtarake kundër pushtuesit të përbashkët otoman duke vazhduar përtej edhe në vitin 1448.

Kjo aleancë strategjike e Gjergj Kastriotit dhe e Janosh Hunyadit shkëlqeu me sukseset e betejave antiosmane të periudhës 1443-1444, dhe e shpëtoi Europën nga valët shkatërrimtare.

Dy Prijësit tanë legjendarë u shndërruan në mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit evropian.

Por, jehona e kësaj aleance i kapërceu shekujt dhe u materializua më pas edhe në krijimin e Mbretërisë Shqiptare, sepse fisnikëria hungareze e përfaqësuar nga Mbretëresha me prejardhje hungareze Geraldine Apponyi në krah të mbretit Zog, hodhën themelet e kurorës mbretërore shqiptare

Për të cilën të gjithë ne, shqiptarët, jemi krenarë sepse e konsiderojmë mbretërinë një moment të rëndësishëm në historinë shtetformuese të vendit.

Ne i jemi mirënjohës Hungarisë që, si pjesë e Perandorisë Austro- Hungareze, ishte ndër të vetmet vende ndër Fuqitë e Mëdha që ishte pro krijimit të shtetit shqiptar pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Edhe sot, ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit evropian të Shqipërisë.

I jemi mirënjohës Hungarisë për mbështetjen e pakursyer për popullin shqiptar edhe në momente të rënda të fatkeqësive natyrore. Vlerësojmë veçanërisht shumë kontributin e saj në përballimin e pasojave të tërmetit dhe luftën me pandeminë.

Jemi krenarë që vitin që vjen do të kremtojmë së bashku 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

Në fund, më lejoni që të falënderoj Shkëlqesinë e Tij Presidentin Áder, Kryetarin e Bashkisë Karácsony dhe autoritetet e larta që mundësuan vendosjen e bustit të heroit tonë legjendar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në zemër të Budapestit!

Me këtë rast, shpreh bindjen time se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa ndalur në të ardhmen.”