28 Tetor 2021 Presidenti Meta përshëndet seancën e radhës së dhurimit të gjakut të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare.
Në zyrat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh.T Z. Ilir Meta u mbajt sot seanca e radhës së dhurimit të gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Kreu i Shtetit “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Presidenti Meta vlerësoi solidaritetin e KMSH-së, Kryetarit Haxhi Bujar Spahiu, të drejtuesve të tjerë fetarë e shpirtërorë, si edhe të dhjetëra besimtarëve myslimanë shqiptarë, që iu përgjigjën sot, jo për të parën herë, thirrjes për të dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve, të cilët kanë nevojë jetike për gjak.
Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare.
I lumtur të mësoja nga Kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu se seanca e sotme do të ndiqet në vazhdim me të tjera seanca dhurimi gjaku në xhami të ndryshme të Tiranës dhe qytete të tjera të vendit.
Mirënjohje besimtarëve myslimanë për solidaritetin e dëshmuar! Zoti t’ua shpërblejë me bekime në jetë dhe në familjet e tyre!”, – u shpreh Presidenti Meta.