Presidenti Meta përshëndet Konferencën “Kundër kulturës së mënjanimit, në dobi të kulturës së dashurisë”

Presidenti Meta përshëndet Konferencën “Kundër kulturës së mënjanimit, në dobi të kulturës së dashurisë”

Presidenti Meta përshëndet Konferencën “Kundër kulturës së mënjanimit, në dobi të kulturës së dashurisë”: Kultura e dashurisë duhet të fitojë mbi atë të lënies mënjanë dhe të harresës.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti sot konferencën “Kundër kulturës së mënjanimit, në dobi të kulturës së dashurisë. Kujdesi paliativ për nxitjen e një kulture për përgjegjësinë sociale”, që u organizua nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe nga Akademia Papnore për Jetën, me qendër në Selinë e Shenjtë të Shtetit të Vatikanit.

Duke i drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës theksoi në fjalën e tij se: “kemi nevojë për një shoqëri që të kujdeset për pjesëtarët e saj me dashuri dhe dhembshuri, një shoqëri që të promovojë kujdesin paliativ dhe jo t’i braktisë të moshuarit e e të sëmurët, një shoqëri që të drejtohet nga etika, morali dhe besim”.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

“Ju falënderoj për ftesën për t’u rikthyer sërish në këtë auditor të mrekullueshëm jo vetëm për shkak të promovimit të temës: të kulturës së dashurisë përkundër kulturës së mënjanimit, por natyrisht edhe për shkak të pjesëmarrjes në këtë veprimtari të një personaliteti të shquar si Imzot Vincezo Paglia, i cili është një mik i shkëlqyer i Shqipërisë dhe shqiptarëve prej dekadash.

Vij gjithmonë me dëshirë këtu, pasi personalitet ndërkombëtare ftohen dhe debatojnë me ne dhe ju, për të shkëmbyer mendime për çështje të rëndësishme dhe me dobi për politikën, shkencat sociale, shkencore, ekonominë, besimin, paqen dhe zhvillimin.

Dhe për më tepër tema që po diskutohet është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos për vendin tonë.

Debati për të zhvillohet në rrafshin njerëzor, etik, moral dhe natyrisht edhe në atë social.

Debati filozofiko-social, por edhe teologjik për jetën dhe për vdekjen, nuk ka të bëjë me pashangshmërinë e tyre, por në thelb me mënyrën se sa njerëzore dhe dinjitoze është e aftë shoqëria që të lehtësojë kalimin në jetën e përtejme të të sëmurëve apo të moshuarve, që ndodhen në fund të jetës së tyre.

Ndaj kemi nevojë për një shoqëri që të kujdeset për pjesëtarët e saj me dashuri dhe dhembshuri, një shoqëri që të promovojë kujdesin paliativ dhe jo t’i braktisë të moshuarit e të sëmurët, një shoqëri që të drejtohet nga etika, morali dhe besimi.

Kjo është shoqëria për të cilën ka nevojë individi, të pamundurit, të moshuarit e të gjithë të sëmurët, por sigurisht edhe të rinjtë dhe familja ku të rinjtë rriten dhe shkolla ku ata mësojnë.

Fatkeqësisht shoqëria dhe realiteti ynë ka ende shumë nevojë të mësojë dhe ta bëjë pjesë të veten kulturën e kujdesit, kulturën e dashurisë dhe jo atë të mënjanimit.

Shoqëria jonë e ka detyrim e përgjegjësi dhe duhet të edukohet t’i japë vlerë, dashuri dhe përkujdesje çdo individi terminal, nëpërmjet kujdesit paliativ, këtij ‘manteli’ mbrojtës, siç e quajti edhe vetë Imzot Palia.

Kujdesi paliativ na mëson se, çdo i sëmurë është një qenie njerëzore, që ka nevojë reale për mbështetjen dhe kujdesin tonë në momentet më të vështira të jetës, por që mbi të gjitha ka nevojë të trajtohet dhe të jetojë deri në momentet e fundit, me dinjitet njerëzor.

Ky kujdes na mëson dhe kujton se çdo qenie njerëzore ka vlera, që çdo burrë, grua, i moshuar, çdo i sëmurë terminal meriton miqësinë, respektin dhe mbi të gjitha humanizmin tonë.

Familja shqiptare nuk është më ajo ku breza të ndryshëm jetojnë së bashku dhe lidhja shpirtërore dhe kujdesi për njëri-tjetrin janë aq të forta sa dikur.

Vetëm në 25 vitet e fundit me qindra e mijëra qytetarë kanë qenë të detyruar të largohen jashtë vendit duke lënë prindërit e tyre në Shqipëri.

Për këtë arsye ka të moshuar që jetojnë të vetëm dhe numri i tyre rritet çdo ditë, dhe që kanë nevojë për kujdes dhe mbi të gjitha për dashuri e mbështetje, veçanërisht në vitet e fundit të jetës së tyre apo kur janë të sëmurë.

Shoqërimi i tyre, kujdesi dhe dhembshuria veçanërisht në fund të jetës, mbetet një detyrë e jona si shoqëri dhe si individë.

Duke u kujdesur për ta në momentet më delikate e të vështira të jetës ne i japim dinjitet e dashuri çdo të sëmuri.

Kultura e dashurisë duhet të fitojë mbi atë të lënies mënjanë dhe të harresës.

Ndjenjat e solidaritetit duhet të mbizotërojnë mbi egoizmin dhe individualizmin.

Por ky kujdes nuk lidhet vetëm me lehtësimin e vuajtjes fizike nga sëmundja, por veçanërisht duhet trajtuar në aspektin e së drejtës njerëzore, sociale, psikologjike fiziologjike e shpirtërore.

Ai nuk duhet të kufizohet vetëm në përkujdesjen ndaj të sëmurit, por një shoqëri e përgjegjshme e trajton atë edhe në aspektin e nevojave të familjarëve të tij, por edhe të komunitetit që e rrethon.

Strukturat e shtetit, por edhe shoqëria civile e sipërmarësit shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen dhe ta shikojnë kujdesin paliativ si një proces që përmirëson cilësinë e jetës dhe si një detyrim e përgjegjësi për t’u ndodhur pranë e për të ndihmuar familjatët e pacientëve, duke ua bërë barrën dhe dhimbjen më të lehtë atyre.

Do të kërkoja e do të bëja thirrje që tema që po trajtojmë sot, të zerë më shumë vend jo vetëm në tryeza shkencore të specializuara. Ajo duhet të bëhet pjesë e debatit publik dhe kërkon trajtim me hapësirën që meriton në median tonë, veçanërisht atë televizive.

Të gjithë bashkë, qytetarë, struktura të qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, donatorë e sipërmarrës duhet të ndërgjegjësohemi për rëndësinë e kësaj çështjeje dhe të informojmë këdo që mund të jetë në nevojë për të.

Ky ndërgjegjësim tregon shkallën e emancipimit të shoqërisë sonë dhe vlerat e vërteta, duke shtuar përkujdesjen dhe vullnetarizmin te të gjithë.

Është e nevojshme të hartojmë dhe të mbështesim poltika shëndetësore dhe sociale për t’i ardhur në ndihmë të gjithë këtyre individëve dhe duhen mbështetur me të gjitha shërbimit e domosdoshme të merituara.

Nënë Tereza, e cila konsiderohet si themeluesja e kujdesit paliativ, ia dedikoi gjithë jetën e saj të sëmurëve terminal duke iu shërbyer, duke i ushqyer, duke i pastruar, duke iu lehtësuar dhimbjet, por mbi të gjitha duke iu ofruar mbështetje shpirtërore e dashuri pa fund dhe pa kushte.

Fjalët e saj: ‘Nuk ka rëndësi sa bëjmë, por me sa dashuri e bëjmë. Nuk ka rëndësi sa dhurojmë, por sa dashuri japim kur dhurojmë.” – mund të konsiderohen si baza e kujdesit paliativ.

Dashuria ndaj të varfërve, të sëmurëve, fëmijëve, të moshuarve, dashuria ndaj të gjithë njerëzve pa dallim feje, dashuria ndaj të gjithë njerëzve, ndaj jetës e dashuria ndaj Zotit, kanë qenë në themel të veprimtarisë së saj që na frymëzon edhe sot.

Ndaj nën këtë shembull, të cilin ne shqiparët e kemi dy herë, pa asnjë diskutim, besoj se do të duhet të bëjmë më shumë, për të luftuar kulturën e mënjanimit, për të promovuar kulturën e dashurisë dhe të solidaritetit e për të treguar se një shoqëri e vërtetë europiane, është ajo që merr përgjegjësi të plota sociale në respekt të të drejtave dhe të dinjitetit të çdo individi të saj.”, – u shpreh Presidenti Meta.

Në këtë konferencë, merrnin pjesë Presidenti i Akademisë Papnore për Jetën dhe themeluesi e këshilltari shpirtëror i Komunitetit të Sant’Egidio-s, një bashkësi humanitare me veprimtari anembanë botës, Imzot Vincenzo Paglia, Presidenti i FZKM-së At Daniele Bertoldi, Rektori i UKZKM-së Profesor Bruno Giardina, Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendo, Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë Imzot Charles John Brown, përfaqësues të trupit diplomatik, trupës akademike dhe studentëve të shumtë.