17 Qershor 2022 Presidenti Meta në sesionin e Forumit IX Global të Bakusë për “Një Europë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”
Baku, Azerbajxhan
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta iu drejtua si Folësi Kryesor me një fjalë të veçantë sesionit të Forumit IX Global të Bakusë “Për një Europë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, të drejtuar nga Ambasadorja Susan Ellitot – Presidente dhe Drejtuese e Komisionit Kombëtar mbi Politikën e Jashtme amerikane.
“Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj!
Jam i nderuar që jam folësi kryesor në këtë panel lidhur me një Europë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Europian nuk mund të jetë as më i fortë dhe as më i madh në arenën ndërkombëtare pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ne e konsiderojmë mekanizmin e Procesit të Berlinit si katalizatorin kryesor të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.
Pse Procesin e Berlinit?
Sepse Procesi i Berlinit mbështet krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të bazuar në katër liri.
Të 6 vendet janë pjesë dhe e mbështesin plotësisht këtë proces.
Vetëm disa liderë mbështesin alternativën e Ballkanit të Hapur!
Procesi i Berlinit ka si pjesë të tij BE-në.
Ballkani i Hapur jo!
Ballkani i Hapur jo!
Procesi i Berlinit fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me shpërblimet financiare.
Ballkani i Hapur paraqitet si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, duke e tjetërsuar rajonin si një komunitet politik hibrid.
Procesi i Berlinit përmban 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në tryezën politike të Bashkimit Europian.
Çdo proces që ka BE-në brenda saj përfaqëson vullnetin e vendeve tona.
Çdo proces që copëton BE-në përfaqëson frikën politike të liderëve autokratikë për humbjen e pushtetit të tyre!
Dëshiroj të përshëndes përkushtimin e qartë të Kancelarit të ri të Gjermanisë së fundmi në rajonin tonë për përshpejtimin e Procesit të Berlinit dhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, por edhe për njohjen reciproke!