26 Nëntor 2020 Presidenti Meta në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut: Në këtë periudhë pandemie, të forcojmë solidaritetin e zemërgjerësinë, në ndihmë të njerëzve në nevojë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, ishte sot i pranishëm në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Laprakë, për të ndjekur nga afër seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut nga një grup të rinjsh.
Duke i falënderuar për solidarizimin me këtë kauzë fisnike, Kreu i Shtetit theksoi se dhurimi i gjakut, në këtë periudhë të vështirë të pandemisë COVID-19, është akoma më i domosdoshëm dhe jetësor.
Në këto kohë krize, kur distancimi fizik dhe social është kthyer në mënyrë të re jetese, duhet të kujtohemi për rëndësinë e solidaritetit dhe të zemërgjerësisë, sepse një gjest kaq i vogël, sa është dhurimi i gjakut, bën diferencë të madhe për jetën e shumë njerëzve.
Ndaj duke i falënderuar të rinjtë për këtë solidaritet të mrekullueshëm, që treguan sot, shpreh mbështetjen më të plotë, edhe në emër të ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’ për ekipin që përgjigjet për dhurimin e gjakut, për mjekët, infermierët e personelin mbështetës.