25 Gusht 2018 Presidenti Meta në Konispol, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij dhe “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Bashkinë më jugore të vendit, Konispolin, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij dhe të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.
“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që të jem sot në Bashkinë e Konispolit, në bashkinë më jugore të vendit, por dhe një bashki e veçantë për të gjithë vlerat e trashëguara historike, kulturore, arkeologjike dhe mbi të gjitha njerëzore. Një bashki simbol i bashkëjetesës, harmonisë dhe solidaritetit të qytetarëve me njëri-tjetrin.
Sot edhe një bashki e cila ka zgjedhur të kontribuojë në “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, duke ftuar jo vetëm punonjësit e saj, por dhe qytetarët e Konispolit për të dhuruar gjak. Kjo merr vlerë të veçantë sot, që është një ditë pushimi, çka tregon se qyteti i Konispolit ka një komunitet jashtëzakonisht solidar e njerëzor, i gatshëm për të sakrifikuar edhe disa momente pushimi në emër të një kauze jashtëzakonisht humane. Mbi të gjitha duke dhuruar një ‘gjak shumë cilësor’ me vlera të veçanta, për shkak të klimës së kombinimit perfekt këtu, të jodit me oksigjenin”, – u shpreh Presidenti.
“Me këtë rast, – theksoi Kreu i Shtetit, – duke falenderuar Kryetarin e Bashkisë, i cili është mjaft i angazhuar në këtë proces, jo vetëm si kryetar i bashkisë, i këtij komuniteti, por njëkohësisht edhe si mjek, dua t’i uroj të gjithë banorëve të Konispolit, sukses gjatë këtij sezoni të rëndësishëm, edhe për turizmin, edhe për bujqësinë!
Do t’i ftoja të gjithë ta vizitojnë sa më shumë Konispolin, pasi vërtetë është një bashki e mrekullueshme, me një klimë të jashtëzakonshme, me produkte mjaft cilësore dhe mbi të gjitha me një komunitet të shkëlqyer, i cili ëshë shembulli i solidaritetit.”