Presidenti Meta në Forumin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik të Vjosës: Të shpallet Park Kombëtar!

Presidenti Meta në Forumin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik të Vjosës: Të shpallet Park Kombëtar!

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Forumin Ndërkombëtar të organizuar online nga Konfindustria Shqiptare për shpalljen e nismës së Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik të lumit Vjosa dhe pellgut ujëmbledhës të tij.

Duke iu drejtuar ambasadorëve, akademikëve, shkencëtarëve dhe profesorëve të universiteteve europiane, deputetëve, përfaqësuesve të qeverisë, të shoqatave mjedisore dhe të pushtetit vendor të Shqipërisë si dhe Greqisë – pjesëmarrës në këtë aktivitet me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, për turizmin dhe mbrojtjen e mjedisit, Presidenti i Republikës pasi falënderoi dhe përgëzoi Konfindustrinë për organizimin e këtij Forumi Ndërkombëtar, u shpreh:

“Jam shumë i lumtur të mbështes plotësisht thelbin e Nismës së Konfindustrisë, që ekosistemi lumor i Vjosës, si lumi i vetëm me rrjedhje të lirë në Europë, ose, si i thonë ndryshe, i vetmi lumë i mbetur ‘i egër’, me potenciale jo vetëm natyrore, por dhe ekonomike të jashtëzakonshme, duhet vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së banorëve të basenit dhe vendit në tërësi.

Po ashtu, kjo nismë duhet t’i shërbejë edhe forcimit të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe të jetë shembull edhe për bashkëpunimin rajonal.

Lumi Vjosa dhe pasuritë e paçmuara natyrore të tij nuk janë vetëm pasuri e Shqipërisë, por e gjithë Europës.

Ndiej kënaqësi, sepse ritakoj pas disa javësh, shkencëtarët, profesorët e nderuar të universiteteve dhe organizatave mjedisore të rëndësishme, në kushte të reja, kur me akte zyrtare, ka filluar të jetësohet shpëtimi i Lumit Vjosa, nga ndërtimet dhe projektet, që janë në kundërshtim me interesin publik afatgjatë.

E kam fjalën pikërisht në mosdhënien e lejes mjedisore të HEC-it të Kalivaçit. Veprim, që e kam kërkuar me forcë dhe e mbështes plotësisht.

Me mendimet, arsyetimet dhe veprimet e personaliteteve të njohura dhe me përpjekjet e aktivistëve të shoqërisë civile dhe botës akademike, u bë e mundur të fitohet beteja e parë e një lufte, që duhet të vazhdojë.

Mosdhënia e lejes mjedisore të HEC-it të Kalivaçit është një shenjë e mirë e vendimmarrjes, në ndihmë të mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri, në përputhje edhe me mendimin e përparuar shkencor dhe me kërkesat e përsëritura të institucioneve europiane.

Por unë do të këshilloja fort, që kjo nismë të vazhdonte më tej, për një mbrojtje të qëndrueshme të pjesës, që është ende pa një status mbrojtje, dhe mbetet nën kërcënim.

Për këtë qeveria shqiptare duhet të hedhë një hap të dytë në drejtim të mbrojtjes së lumit Vjosa, atë të shpalljes Park Kombëtar të pjesës lumore të mesme, sidomos të pjesës Qesarat-Poçem.

Kjo pjesë e lumit strehon vlera të larta biodiversiteti dhe habitatesh lumore, dhe njëkohësisht mbetet potencialisht e kërcënuar nga ndërtimi i digave.

Unë kam gjithmonë bindjen se ekspertiza akademike vendase dhe ajo ndërkombëtare janë të gatshme të bashkëpunojnë për këtë.

Nisma për ndërtimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik të Rajonit të Vjosës, është shumë më tepër se sa vetëm shpëtimi i saj nga digat e HEC-ve.

Nisma në thelb është:

– Modeli i munguar, deri sot, i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit;

– Domosdoshmëria e dhënies fund të shfrytëzimit barbar në mënyrë afatshkurtër të pasurive natyrore;

– Dhënia fund e praktikave të dhënies pa arsyetim, pa garë dhe me korrupsion të koncesioneve, PPP, që fatkeqësisht kanë goditur rëndë ekonominë kombëtare, por edhe ekonomitë vendore;

– Përafrimi me praktikat e zhvillimit të Rajoneve të BE-së dhe thellimi i bashkëpunimin me fqinjët në interes të përbashkët dhe të drejtpërdrejtë të komuniteteve.

Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Basenit të Lumit Vjosa krijon kushtet për rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve buxhetore të qeverisë, bashkive, biznesit dhe individëve.

Gjithashtu, Strategjia krijon kushtet më të mira të mundshme, që të tërhiqen financime dhe investime të rëndësishme nga donatorë, institucione financiare ndërkombëtare dhe të programeve të BE-së, sepse Vjosa nuk është vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Europës.

Shqipëria, me shembullin e mbrojtjes së Vjosës dhe ndërtimin e strategjisë, sipas standardeve europiane, kryen detyrën e saj, duke ia lënë radhën vendeve mike të BE-së dhe Europës të japin ndihmesën e tyre.

Suksesi i strategjisë për Rajonin e Vjosës mund të shërbejë si model ekonomik edhe ne rajone ekonomike të vendit tonë.

Ndërtimi dhe zbatimi i strategjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm të Basenit të Lumit Vjosa do të prodhojë pa dyshim mirëqenie për banorët e rajonit, të prekur rëndë nga emigracioni, varfëria dhe mungesa e shpresës.

Ndërtimi i HEC-eve nuk mund të jetë kurrë sesi një rrugë ‘e blertë’, një rrugë e qëndrueshme për zhvillimin e vendit!

Shpallja e Parkut Kombëtar Lumor të rrjedhjes së mesme të lumit Vjosë do ta kthente vërtet pellgun lumor të Vjosës të veçantë nga ana e mundësive të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Duke filluar nga turizmi veror, tek turizmi natyror, ekologjik, agroturizmi apo edhe turizmi kulturor, historik, arkeologjik, që i gjithë lumi Vjosa dhe degët e tij ofrojnë përgjatë gjatësisë së tij.

Është krejt e papranueshme, që zona dhe krahina kaq të bukura dhe të pasura, që aq shumë vlerësohen nga turistë dhe shkencëtarë të Europës, të shkretohen dhe braktisen nga banorët.

Rajonit të Lumit Vjosa dhe gjithë Shqipërisë nuk i mungojnë pasuritë. Përkundrazi!

Janë vendimmarrjet politike të gabuara, të papërgjegjshme, shkaku i varfërisë dhe shkatërrimit të kësaj parajse natyrore dhe njerëzore.

Natyrisht, është detyra jonë, që të reflektojmë dhe mos lejojmë, me mjete dhe institucione demokratike, vendimmarrjet politike të veprojnë në kundërshtim me interesin publik, sikundër në rastin e digave në Lumin Vjos.

Dhe parakusht i të gjitha kushteve, për sa me sipër, janë zgjedhjet e lira dhe të drejta dhe dëgjimi i zërit të komunitetit e konsultimi me ta.

Jam i lumtur, që kam qenë pjesë e ‘misionit të përbashkët’ me shoqërinë civile, aktivistët e mjedisit, të botës akademike, universitare dhe personaliteteve të vendit dhe të BE-së, të fillimit të shpëtimit nga digat të Lumit Vjosa.

Do të vazhdoj të jem gjithmonë përkrahës dhe mbështetës i të gjitha nismave, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës sonë të mrekullueshme.

Le ta quajmë, së bashku, një ‘mision në vazhdim’ ndërtimin e Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik të Rajonit të Vjosës, në shërbim të mirëqenies së banorëve dhe si shembull i qartë, se Shqipëria dhe shqiptarët dinë dhe i kanë të gjitha mundësitë, jo vetëm për të qenë pjesë e BE-së, por njëkohësisht të jenë edhe vlerë e shtuar dhe e çmuar e saj!